Aktualitet

Pedagogët në protestë, opozita jep mbështetje!

Sot nisi viti i ri akademik 2022-2023, me mbi 19 mijë studentë që ulen në auditore për herë të parë. Pedagogët në Tiranë bojkotuan mësimin. Pas një prezantimi me studentët e viteve të para, dolën për të protestuar me kërkesa për kushte më të mirë e rritje page. Vetëm në Fakultetin e Mjekësisë, nuk u paralajmërua bojkot. Ndryshe nga kryeqyteti, në pjesën më të madhe të universiteteve në rrethe, mësimi zhvillohet normalisht. Përjashtim bëjnë universitetetet e Shkodrës dhe Elbasanit, ku ka pedagogë që protestojnë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj shprehu sot mbështetjen për protestën e pedagogëve.

Sot është dita e parë e mësimdhënies universitare. Do të donim të bënim urimet tradicionale por diçka na pengon. Pedagogë e studentë janë sot në grevë për një trajtim dinjitoz. Ata nuk po kërkojnë të krahasohen me Italinë, Gjermaninë a Francën! Joo! Thjesht me Kosovën, e cila si ka përmbushur ende dy dekada pavarësi.

Pa cilësi nuk ka elita dhe pa to nuk ka progres. Pas 32 vitesh liri endë ata kanë mbetur shtresa më e keqtrajtuar ekonomikisht dhe pa status. Ligji i arsimit të lartë kaq i kundërshtuar nga pedagogët nuk u bë kurrë zgjidhje për asgjë. Në shumë vende europiane shteti asiston ekonomikisht Universitetet publike. Sa herë protestojnë a kërkojnë diçka pedagoget tentohet kundërvënia ndaj tyre e shtresave të ndryshme sociale apo “lufta e klasave” me studentet dhe gjithmonë në horizont shfaqet një ” hall” apo “krize”. A ju ka borxh Partia Demokratike Universiteteve dhe pedagogëve? Sigurisht qe ju ka dhe shumë por prej gati 10 vitesh vendi qeveriset nga Partia Socialiste e 10 vjet janë tepër për t’i lënë në harresë nëse objektiv nuk është dekulturimi i shoqërisë si mënyra më e lehtë e sundimit dhe manipulimit.

Opozita e mbështet këtë përpjekje të drejtë të pedagogëve pa marrë flamurin e kësaj lëvizje dhe pa tentuar ta përdorë atë për qëllimet e veta të ditës. I bëj thirrje koleges Kushi si pedagog të ngrejë zërin për të mbështetur shtresën e saj e po kaq Kryeministrit Rama i cili nëse e ka seriozisht konfiskimin e pallateve pa leje të oligarkëve i ka gjetur aty rrogat e pedagogëve për 10 vitet e ardhshme.

Më herët ishte ministrja e Arsimit, Evis Kushi e cila kishte një mesazh drejtuar pedagogëve, në prag të nisjes së vitit akademik.