Bota

Mijëra izraelitë dalin në protesta, kërkojnë një armëpushim në Gaza!

Protestuesit izraelitë po kërkojnë që kryeministri i vendit Benjamin Netanyahu të sigurojë një armëpushim në Gaza për kthimin e pengjeve.

Mijëra izraelitë protestuan të shtunën, duke kërkuar që kryeministri Netanyahu të pranojë një marrëveshje armëpushimi me Hamasin që do të lejonte pengjet e mbetura izraelitë të ktheheshin në shtëpi nga Gaza.

Reuters raporton se në një tubim në Tel Aviv të mbajtur ndërsa zyrtarët e Hamasit u takuan me ndërmjetësuesit egjiptianë dhe katar në Kajro, të afërmit dhe mbështetësit e më shumë se 130 pengjeve ende në robëri thanë se duhet bërë gjithçka për t’i kthyer ata në shtëpi.

Ndërkaq të dielën herët në mëngjes protestues pro-palestinezë u larguan nga një kamp i ngritur në Universitetin e Kalifornisë Jugore pas paralajmërimeve që nëse një gjë e tillë nuk ndodhte, do të arrestoheshin. Përpara këtij zhvillimi, universiteti njoftoi se oficerët e sigurisë së kampusit, të ndihmuar nga Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit, po pastronin zonën dhe se kushdo që e kundërshtonte këtë vendim, do të arrestohej.

 “Nëse jeni në qendër të kampusit, ju lutemi largohuni. Ata që nuk largohen mund të arrestohen”, shkruhej në njoftimin e universitetit në platformën e mediave sociale X.
Në krye të disa ditëve në kampusin e këtij universiteti në Los Anxhelos pritet të mbahen ceremonitë e diplomimit.

Ndërkohë në Universitetin e Virxhinias, 25 persona u arrestuan të shtunën pasi policia u përlesh me protestuesit pro-palestinezë që refuzuan të hiqnin tendat nga kampusi. Protestat në universitetet amerikane janë nxitur nga konflikti që filloi më 7 tetor kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin, duke vrarë rreth 1200 persona, e marrë peng rreth 250 të tjerë. Prej fillimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit janë vrarë mbi 34 mijë palestinezë, sipas grupit militant që kontrollon rajonin e Gazës.

Studentët protestues kërkojnë shkëputjen e lidhjeve finaciare të universiteteve amerikane me Izraelin, apo me kompanitë që bëjnë biznes me Izraelin, për shkak të luftës në Rripin e Gazës. Ndonëse disa studentë hebrej u janë bashkuar protestave, të tjerë anëtarë të këtij komuniteti, thonë se protestat janë kthyer në antisemitizëm.