Aktualitet

Para pyetjeve në SPAK për çështjen Partizani, Malltezi: Përfitova tokën e trashëguar!

Për çështjen e privatizimit të klubit sportiv Partizani, në SPAK po mbahet seanca e marrjes në pyetje e Jamarbër Malltezit, dhëndrit të Sali Berishës. Para se të hynte në mjediset e Prokurorisë së Posaçme, Malltezi foli për mediat:

E para, toka ishte e pronarëve fisnikë themelues të familjeve të Tiranës. Dy, kjo tokë nuk ishte e shpronësuar, kjo ishte e këtyre familjeve dhe mbi 100 familjeve trashëgimtare të pesë familjeve të origjinës. Tre, klubi Partizani nuk iu kthye Jamarbër Malltezit, iu kthye 100 familjeve, është krejt ndryshe nga ato që bën Edi Rama me katër VKM që ia jep një personi.

Pra, asnjë qeverisje nuk ia ka dhënë Jamarbër Malltezit apo një personi, por ia ka dhënë 100 familjeve pronare. E katërta, në këtë çështje, edhe vetë SPAK-u e pranon se nuk ka dëm. Pra, po bëjnë hetime kur nuk ka dëm. Po arrestojnë dhe burgosin njerëz me shfaqje kur nuk ka dëm.

Sa është dëmi? Zero! Përkundrazi shteti ka përfituar 800 mijë dollarë nga privatizimi i objekteve të rrënuara.

Nga ana tjetër, çfarë ka rezultuar? Ka rezultuar se Taulant Balla ka bërë kallëzim të rremë, vepër penale e dënueshme sipas Nenit 315 të Kodit Penal.

Por, Taulant Balla qenka mbi ligjin. SPAK-u bëhet SNUK.

E pesta, Edi Rama ka bërë shkelje, ka bërë dëm. Shpërdorim detyre me dëm mbi 330 mijë euro. E kam administruar së fundmi se e kishin fshehur. Vetëm këto dy muajt e fundit e kanë administruar si provë, por nuk ndihen. Pse? Se është Edi Rama! Sepse është dëm që vjen nga Edi Rama dhe Edi Rama është mbi ligjin.

Këto i lëpihen, këta janë larot e Edi Ramës.

Më herët gjatë ditës u vendos që Sali Berisha të vazhdojë të qëndrojë në arrest shtëpie, duke i rrëzuar ankimimin ish-kryeministrit nën hetim për korrupsion pasiv lidhur me çështjen e privatizimit të klubit sportiv “Partizani” në Tiranë. Vendimin e mori sot Gjykata e Posaçme e Apelit. Avokati Genc Gjokutaj, tha se përfundimisht u vërtetua qëllimi politik i mbajtjes në izolim të Berishës.