Aktualitet

Përvetësonin ndihmën ekonomike e pensionet, arrestohen 7 punonjës të Postës Shqiptare!

Përvetësonin ndihmën ekonomike, pagesat për personat me aftësi të kufizuar dhe pensionet e atyre që jetojnë jashtë vendit, 7 punonjës të Postës Shqiptare duhet të përgjigjen para drejtësisë. Rastet i përkasin Dibrës, Shkodrës e Tropojës e sipas ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, agjentët e Antikorrupsionit u vunë në lëvizje pas denoncimit të qytetarëve.

Njëkohësisht, ministri Manja inkurajoi qytetarët të denoncojnë çdo rast të korrupsionit që hasin në zyrat shtetërore.

Falë denoncimeve të qytetarëve, agjentët tanë të Antikorrupsionit kanë çuar para drejtësisë 7 punonjës të Postës Shqiptare në Dibër, Shkodër, Tropojë, të cilët përvetësonin ndihmën ekonomike, pagesa për personat me aftësi të kufizuar dhe pensionet e atyre që jetojnë jashtë vendit. Inkurajoj të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast të korrupsionit që hasin në zyrat shtetërore. Bëj pjesën tënde në luftën kundër korrupsionit.

Manja siguroi se do të ketë zero tolerancë për zyrtarët që abuzojnë me ligjin për përfitime personale. Ndërkaq, bëri të ditur se dëmi i shkaktuar në buxhet llogaritet 33 milion lekë.