Aktualitet

Rama uron 1 Majin: Suksese njerëzve të punës!

Me pamje nga Shkodra, kryeministri Edi Rama uroi 1 Majin, Ditën e Punëtorëve duke vënë në dukje se njerëzit e punës po rrisin hap pas hapi ekonomi të shëndetshme. Një ditë më parë, shefi i qeverisë vizitoi Thethin, ku prezantoi “Paketën e Maleve”, një program që vjen në mbështetje të investimeve në Alpe. Rama shkruan:

Nga Shkodra, ku njerëzit e punës po bëjnë të mundura deri edhe në majat e maleve, gjëra që deri dje dukeshin të pamundura, duke rritur hap pas hapi një ekonomi të shëndetshme për familjen e për vendin me besimin tek puna, respektin për punën e njëri-tjetrit, bashkimin e forcave për punë që s’bëhen dot vetëm, ju uroj në këtë një 1 maj vetëm të mira, shëndet e suksese të gjithë njerëzve të punës kudo ku janë.

Dje, kryeministri Rama zhvilloi një vizitë në Theth, ku ndoqi ecurinë e punimeve në Rrugën e Dukagjinit. Po ashtu, zhvilloi takime me banorë të Thethit, si dhe pa nga afër Zip Line, një mundësi e re për të eksploruar nga ajri atraksionet e Parkut Kombëtar të Thethit.

Në Theth, bisedoi me drejtues bujtinash e agroturizmash e njoftoi se “Paketa e Maleve” është një mbështetje e re për investitorët vendas që duan të investojnë në tokën e të parëve.

Turizmi malor dhe investimet për rigjallërimin e tij vijojnë të mbeten një prioritet, tashmë i përforcuar me një paketë të re të mbështetjes për investimet në këto zona, e cila do t’i hapë rrugë një zhvillimi intensiv, përmes inkurajimithe mbështetjes së investitorëve vendas, që kursimet e punës në emigracion, duan t’i investojnë në tokat e të parëve të tyre.

Sot është 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, që lindi nga beteja për të kërkuar e siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës. Ishte viti 1884 kur në Amerikë, Federata e Tregut të Organizuar dhe Bashkimi i Punëtorëve hartuan rezolutën në të cilën thuhej: Nga 1 maji 1886, punëtorët duhej të punonin 8 orë në ditë.

Sa i përket Shqipërisë ka raportime se për herë të parë, 1 Maji u shënua në 1905-ën kur 60 punëtorë organizuan një manifestim në Shkodër. U krijua edhe tradita e përkujtimit të solidaritetit të punonjësve, ndonëse greva e kërkesa për të drejtat e punëtorëve ka pasur edhe para 1905-ës në Shqipëri. Në periudhën e komunizmit, zhvilloheshin parada pasi 1 Maji u shndërrua në ditë feste.