Aktualitet

Plani i masave për Shqipëri-Çeki, ja rrugët që bllokohen prej orës 15:00 në Tiranë!

Policia e Shtetit publikoi planin e masave për ndeshjen e sotme Shqipëri-Çeki që ndër të tjera përfshin organizimin e shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të takimit, në afërsi të stadiumit Air Albania, si edhe në gjithë qytetin e Tiranës. Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në kryeqytet, nga ora 15:00 e deri në përfundim të ndeshjes do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse:

Rrugët që do të jenë të bllokuara janë: bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 metra mbi urën e Dajtit; rruga “Papa Gjon Pali II”; rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së; rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së”; rruga “Themistokli Gërmenji”; rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i Liceut; rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”; rruga “Jul Variboba”, pranë postës; rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës; rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Portat e hyrjes në stadium hapen në orën 17:00.

Apelojmë për tifozët që do të ndjekin ndeshjen në stadium, që të paraqiten në kohë dhe të zbatojnë rregullat që të mos krijohen radhë ose vonesa dhe ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.