Bota

Popullata detyrohet të zhvendoset rreth kryeqytetit nga dhuna e bandave në Haiti!

Në kryeqytetin haitian Port-au-Prince, familje me qindra njerëz po strehohen në ndërtesa publike teksa detyrohen të largohen nga zonat e luftës mes bandave dhe policisë që ka përfshirë papritur vendin.

Që prej shfaqjes së bandave në fund të shkurtit, popullata e varfër ka mbetur e shokuar dhe pa ditur ku të strehohet.

38 vjeçarja Fedline Edouard, nënë e një fëmije thotë se jeton në frikë dhe ka shkuar të strehohet në papafingon e ministrisë së komunikimit, shkruan rrjeti AFP.

“Kam frikë pasi ata po qëllojnë nëpër rrugë, u nisa të shkoj në pazar por u detyrova të kthehem pas. Policia po qëllonte dhe lëshonte gaz lotsjellës, nuk e di çfarë po ndodh”, tha gruaja.

“Kemi lënë plaçkat në shkollën Fritz Pierre-Louis, por nuk mund të kthehemi dot, ata qëllojnë në rrugë çdo ditë.”

“Dje ra shumë shi dhe ne këtu u përmbytëm. Tani kemi riparuar krevatët me gomë. Uji erdhi nga çatia që kur mbushet lëshon ujin e tepërt, dhe ne duhet të presim që shiu të pushojë që të heqim ujin dhe më pas të biem të flemë”.

I zhvendosuri tjetër Jean-Louis Cafenerd, tregonte se shumë njerëz janë detyruar të zhvendosen për të shpëtuar nga dhuna e bandave të panjohura:

“Jetojmë në kushte të vështira, jemi rreth 70 vetë në këtë korridor, kur bie shi detyrohemi të ngjeshemi këtu”.

“Është një situatë e pasigurtë, shtëpia ime u dogj dhe nga mungesa e mjeteve financiare jam detyruar të vij këtu”, thotë Cafenerd për rrjetin AFP.

Më shumë se 1,500 njerëz janë vrarë nga dhuna mes bandave dhe policisë në Haiti vetëm këtë vit, njofton zyra e Kombeve të Bashkuara.

Grupimi kryesor i gangsterëve në Haiti ka intensifikuar sulmet javët e fundit duke goditur policinë me armatime të rënda dhe duke tentuar të marrë kontrollin e aeroportit. Nuk dihet se cilat janë burimet e furnizimit të bandave te organizuara që kanë armatime amerikane dhe vijojnë ofensivën prej shkurtit.