Bota

Refuzon të krijojë faqe për dasmat e homoseksualëve, Gjykata e Lartë e SHBA-ve vendos në favor të artistes!

Gjykata e Lartë e SHBA-ve mbështet një web designer të krishterë nga Kolorado, e cila refuzon të krijojë faqe për të celebruar dasmat e homoseksualëve, pavarësisht nga ligjet në fuqi në shtet që ndalojnë diskriminimin ndaj komunitetit LGBTQ. Mediat amerikane bëjnë të ditur se Lorie Smith, pronare e një agjencie për dizajnimin e faqeve të internetit, beson se ajo ka të drejtë të refuzojë shërbimet e saj të dasmave homoseksuale sipas Amendamentit të Parë. Vendimi është një humbje për aktivistët e të drejtave të homoseksualëve.

Gjykata vendosi 6 me 3 në favor të projektueses së grafikave Lorie Smith, pavarësisht faktit se shteti i Kolorados ka në fuqi një ligj që ndalon diskriminimin në bazë të orientimit seksual, gjinisë dhe karakteristikave të tjera. Smith argumentoi se ky ligj shkel të drejtat e saj për lirinë e shprehjes. Pas këtij vendimi ka reaguar i shqetësuar edhe presidenti Joe Biden.

Jam shumë i shqetësuar se vendimi mund të çojë në diskriminim më të madh kundër amerikanëve LGBTQI+.

Kundërshtarët paralajmëruan se fitorja për të do të lejonte një varg biznesesh të tjera që të diskriminojnë, duke refuzuar t’iu shërbejnë afrikano-amerikanëve, klientëve hebrej dhe myslimanë, apo çifteve të krijuara nga persona të racave apo besimeve të ndryshme, si dhe ndaj emigrantëve. Smith dhe mbështetësit e saj thanë se një vendim kundër saj, do t’i shtrëngonte artistët duke filluar që nga piktorët dhe deri tek fotografët, shkrimtarët dhe muzikantët që të bënin punë që do të ishte kundër parimeve të tyre.