Bota

Shkencëtarët synojnë të zbulojnë 100 mijë specie në oqean të panjohura më parë!

Së fundmi shkencëtarët kanë nisur një mision ambicioz global për të zbuluar dhe regjistruar jetën nënujore të fshehur në oqeanet e planetit tonë. Censi i oqeanit synon të identifikojë 100 mijë specie nënujore të panjohura më parë, në një hark kohor 10-vjeçar, duke mundësuar në këtë mënyrë që të kuptohet dhe të mbrohet më mirë ekosistemi i thellësive.

Njohuritë e njeriut mbi oqeanet kanë boshllëqe të mëdha. Sipas censit, nga 2,2 milionë specie që besohet se ekzistojnë nën ujë, vetëm 240 mijë janë përshkruar nga shkencëtarët. Nisma është vazhdim i projekteve të mëparshme, si Censi i Jetës Nënujore, i përfunduar në vitin 2010, ku u identifikuan 6000 specie të reja gjallesash.

Teknologjitë e reja që janë futur në përdorim mundësojnë fotografimin e oqeanit me rezolucion tepër të lartë, ndërsa studiuesit do të kenë gjithashtu mundësi të analizojnë më në detaje ADN-të që ndodhen nën ujë. Në këtë mënyrë do të bëhet e mundur zbulimi më i shpejtë i specieve të reja. Alex Rogers, profesor në Universitetin e Oksfordit tha se:

Në përfundim të 10-vjeçarit shpresoj se do të kemi bërë disa zbulime të pabesueshme, ndoshta edhe ekosisteme tërësisht të reja.

Projekti kryesohet nga Nekton, një institut shkencor me seli në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa financimin e bën Fondacioni “Nippon”, një organizatë joqeveritare me seli në Japoni. Së fundmi kombet kanë arritur një marrëveshje historike për të mbrojtur oqeanet e botës pas 10 vitesh negociatash. Traktati i Detit të Lirë vendos 30% të deteve në zona të mbrojtura deri në vitin 2030, duke synuar mbrojtjen dhe rikuperimin e natyrës detare. Negociatat ishin shtyrë prej vitesh për mosmarrëveshjet mbi financimin dhe të drejtat e peshkimit.