Aktualitet

Shkodër, 1 i arrestuar dhe 6 të proceduar për vjedhje të energjisë elektrike!

Një i arrestuar dhe gjashtë të proceduar në gjendje të lirë për vjedhje të energjisë elektrike në Bërdicë e në Theth të Shkodrës. Një shtetas u prangos pasi në biznesin e tij në Bërdicë u konstatuan lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Për të njëjtën vepër penale, blutë nisën procedimin për gjashtë persona nga Thethi, në banesat e në bizneset e të cilëve u konstatuan lidhje të paligjshme të energjisë elektrike dhe dyshohen për vjedhje të saj.

Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë arrestuar në flagrancë shtetasin P.M., banues në Berdicë, Shkodër, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike”, pasi në biznesin e tij u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike”.

Gjithashtu janë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit V.Gj., Gj.D., D.B., B.G., V.P dhe P.SH., të gjithë banues në Theth, Shkodër, për të njëjtën vepër penale, pasi në banesat/bizneset e tyre respektive janë konstatuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Po në Shkodër, policia njofton se ka proceduar dhe shtetasin me iniciale K.Z., pasi u konstatua duke kryer punime ndërtimi në banesën e tij, pa lejen përkatëse.

Po ashtu, specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve kanë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh.D., 29 vjeç, banues në Shkodër, pasi iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.