Aktualitet

Shpërthen fruthi në Shqipëri, 11 fëmijë të infektuar në Tiranë dhe në Durrës!

Pas alarmit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për përhapjen e fruthit, edhe në vendin tonë janë konfirmuar rastet e para.

Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar 11 raste me fruth në vendin tonë.

Mësohet se 6 prej këtyre rasteve kanë lidhje familjare dhe janë të pavaksinuar. Po ashtu, bëhet e ditur se të infektuarit janë fëmijë të moshës nga 1 deri në 9 vjeç.

Këto raste janë të konfirmuara në qytetin e Tiranës dhe në Durrës.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik vaksinimi ndaj fruthit ka pësuar një rënie të ndjeshme që pas pandemisë së koronavirusit. Mësohet se vetëm në Tiranë, vitet e fundit, llogariten rreth 13 mijë fëmijë të moshës 0-5 vjeç të pavaksinuar.

Në një raport zyrtar të publikuar nga ISHP, që kryhet çdo 10 vjet, raportohet se mbulimi me vaksinën kundër fruthit për moshat 12-13 muaj ishte 75% në raport me 94 % që ishte regjistruar në periudhën vjetore 2004-2008.

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ka thënë më herët se nga ana e institucioneve zyrtare duhet të punohet më shumë me ndërgjegjësimin e prindërve për të vaksinuar fëmijët.

“Ka një stepje 10 vitet e fundit nga prindërit për kryerjen e vaksinës së fruthit. Kjo lidhet me një lloj frike për shfaqjen e sëmundjes së autizmit si pasojë e kryerjes së kësaj vaksine. Por nga studimet e kryera, është vërtetuar se ndotja urbane lidhet me shfaqjen e autizmit, referuar shifrave të lindjeve në qytet e fshat, ku fshati nuk raporton shifra të autizmit”, tha Alimehmeti për Gazetasi.al.

Sipas tij, rreziku që vendi ynë të preket nga epidemia e fruthit ishte i lartë referuar dhe statusit të Shqipërisë ku në vitin 2019 u konsiderua si vend i rrezikuar prej fruthit.

“Deri në vitin 2017 ne ishim vend pa fruth, sipas OBSH, por me shfaqjen e 1466 rasteve në vitin 2018, OBSH mori vendim për heqjen e statusit në gusht 2019 dhe prej asaj kohe vijojmë të jemi vend me rrezikshmëri të lartë për shfaqjen dhe përhapjen e fruthit”, thotë doktor Alimehmeti.

Të pyetur zyrtarisht nga Gazetasi.al, Instituti i Shëndetit Publik ka pranuar se ka rënie të numrit të të vaksinuarve me vaksinën e MMR.

Sipas të dhënave zyrtare të ISHP, rënia më e madhe u vu re gjatë 3 viteve të pandemisë e sidomos në vitin 2022 ku u vu re një rënie drastike e mbulimit me vaksina, kryesisht në qytetet e mëdha përfshi Tiranën.

“Gjatë tre viteve të Covid-19 dhe sidomos gjatë vitit 2022 patëm një ulje të vaksinimit në krahasim me vitet e mëparshme, sidomos në lidhje me aplikimin e vaksinës në moshën 1 vjeç deri nën 90% kryesisht në Tiranë dhe në disa bashki të vendit. Po ashtu një rënie e mbulesës me vaksina vihet re edhe gjatë vaksinimit me dozën e dytë në moshën 5- vjeç”, thanë burimet zyrtare të ISHP për Gazetasi.al.

Fenomeni që po vihet re gjithnjë e më shumë në vendin tonë për vaksinën trivalente është shtyrja në kohë e kryerjes së saj.

Nëse më herët, prindërit ishin të gatshëm të respektonin kalendarin e vaksinimit, ku  vaksina MMR e njohur si vaksina më e rëndësishme por dhe jo pak pa pasoja tek fëmijët e vegjël, siç është temperaturë e lartë që mund të ketë në 3 ditët e para, duhet të aplikohet në moshën 1 vjeç.

Sipas ISHP, po vihet re gjithnjë e më shpesh se prindërit kanë tendencë ta shtyjnë vaksinën dhe të aplikojnë dozën e parë të kësaj vaksine tek fëmijët mbi 15 muaj deri ne 20-24 muajsh.

ISHP thotë se kjo tendencë vihet re në disa qytete si: Tiranë, Durrës, Elbasan etj.

Kjo ka detyruar ekspertët e shëndetit publik t’i rikthehen edhe njëherë strategjisë së vaksinimit duke futur në program fushatat ndërgjegjësuese.

“Departamenti i Sëmundjeve Infektive dhe programi i vaksinimit ka përgatitur një plan të aktiviteteve për të ndërgjegjësuar prindërit, komunitetet, çerdhet, kopshtet, shkollat dhe personelin shëndetësor në lidhje me rëndësinë e vaksinimit ndaj Fruthit, Rubeolës dhe Parotitit viral (shytave) dhe po e zbaton atë”, thotë ISHP.

Fruthi është një sëmundje infektive që prek sistemin e frymëmarrjes, e cila mund të shkaktojë komplikacione si: polmoniti dhe encefaliti.

Shytat shkaktohet nga një virus që prek gjëndrat e pështymës që ndodhen poshtë veshëve. Kjo sëmundje në rastet më të rënda mund të shkaktojë probleme me dëgjimin, inflamacione në pankreas si edhe në testikuj.