Aktualitet

Shqipëria ratifikoi marrëveshjen IPA III, 600 milion euro mbështetje!

Instrumenti i ri IPA III do ta ndihmojë Shqipërinë në procesin e zgjerimit dhe do të ofrojë deri në rreth 600 milion euro mbështetje për të. Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi marrëveshjen e BE-së, që lejon Shqipërinë të marrë fonde nga Instrumenti i Asistencës së Para’anëtarësimit të BE-së (IPAIII). Kjo asistencë e para’anëtarësimit mbështet vendet kandidate për në BE dhe vendet kandidate të mundshme për miratimin dhe zbatimin e reformave kyçe politike, institucionale, sociale e ekonomike, për të qenë në përputhje me vlerat e BE-së dhe për t’u përafruar në mënyrë progresive me rregullat, standardet dhe politikat e Unionit.

Financimi i ri, i cili nuk do të ketë nevojë të shlyhet, do të drejtohet në një sërë sektorësh si në drejtësi, mjedis, energji, zhvillim i sektorit privat, bujqësi, punësim e përfshirja sociale, qeverisja e mirë, decentralizimi, qeverisja vendore dhe shoqëria civile. Ambasadorja Christiane Hohmann, Shefe e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, tha se “hapja e negociatave të anëtarësimit këtë verë ishte një moment historik në marrëdhëniet BE-Shqipëri, por lidhja jonë ka qenë gjithmonë shumë e fortë”.

Për vite me radhë, BE-ja ka qenë mbështetësi më i madh i reformave në Shqipëri duke ofruar pothuajse 100 milion euro në vit për programe në fusha si Reforma në Drejtësi, bujqësia dhe shumë të tjera që prekin jetën e qytetarëve shqiptarë. Ky ratifikim e vazhdon këtë partneritet të fortë me një paketë të re edhe më të madhe mbështetjeje, për ta ndihmuar qeverinë në procesin e zgjerimit në vitet në vijim, si dhe për të përmirësuar jetën e përditshme të shqiptarëve.

Për periudhën 2021-2027, IPA III fokusohet në prioritetet e procesit të zgjerimit të BE-së. Asistenca e BE-së është programuar sipas pesë dritareve tematike, të cilat pasqyrojnë grupimet e kapitujve negociues: sundimi i ligjit, të drejtat themelore dhe demokracia; qeverisja e mirë, përafrimi me acquis të BE-së, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe komunikimi strategjik; axhenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme; konkurrenca dhe rritja gjithëpërfshirëse; bashkëpunimi territorial e ndërkufitar.

Përveç kësaj, një sërë temash ndërsektoriale, të tilla si ndryshimet klimatike, mbrojtja e mjedisit, shoqëria civile, barazia gjinore dhe qasja e bazuar në të drejtat, janë integruar dhe rrjedhimisht zbatohen në kuadrin e pesë dritareve. Buxheti i ri IPA III për periudhën programore 2021-2027 është mbi 14 miliardë euro dhe mbulon Ballkanin Perëndimor si dhe Turqinë. Kjo është një rritje e konsiderueshme nga buxheti prej 10 miliardë eurosh i fazës së mëparshme IPA (IPAII, 2014-2020).