Aktualitet

“Shtëpia me Gjethe” përkujton disidenten e pathyeshme, Musine Kokalari!

Sot në ditën e lindjes, Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujton Musine Kokalarin, shkrimtaren e parë shqiptare, disidenten e pathyeshme të regjimit komunist, themeluesen e partisë opozitare Social-Demokrate në vitin 1943.

Musine Kokalari lindi më 10 shkurt 1917 në Adanë të Turqisë. Tre vite pas lindjes së saj, familja e Musinesë u kthye në Shqipëri ku vajza që do të bëhej e famshme në të gjithë vendin, mori mësimet e para në qytetin e Gjirokastrës. Studimet e larta i kreu në Itali, në Universitetin e Romës, ku u diplomua me rezultate të larta në degën e Letërsisë. Deri në vitin 1944 botoi dy librat me tituj: “Seç me thotë nënua plakë” dhe “Rreth vatrës”.

Vendosja e regjimit komunist do të sillte ndryshime rrënjësore në jetën e Musinesë. Në nëntor të vitit 1944 u pushkatuan pa gjyq dy vëllezërit e saj, Mumtas e Vesel Kokalari, ndërsa ajo u burgos pas pak ditësh. Më 23 janar 1946 u arrestua për herë të dytë. Procesi gjyqësor e dënoi me 20 vite heqje lirie. Kështu do të shprehej në gjyq Musine Kokalari:

Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem…. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen.

Vuajti 16 vite në burg dhe më pas u internua në Rrëshen të Mirditës, ku jetoi në kushte tejet të vështira ekonomike e plotësisht e izoluar nga shoqëria. Musine Kokalari ndërroi jetë në vitin 1983 nga një sëmundje e rëndë. Pas shembjes së diktaturës, figura dhe vepra e saj dolën në pah dhe u vlerësuan nga institucionet e sistemit demokratik. Në vitin 1993 iu dha titulli “Martir i demokracisë”.

Në kuadër të 100-vjetorit të saj të lindjes, në vitin 2017, Ministria e Kulturës financoi botimin e përgatitur nga Biblioteka Kombëtare, kolanën me veprat “Seç me thotë nënua plakë”, “Rreth vatrës” e “Jeta ime universitare”.