Showbiz

Shuhet dirigjenti i njohur, Milto Vako

Shuhet në moshën 90-vjeçare, dirigjenti i njohur shqiptar, Milto Vako. Gjendja shëndetësore e tij sipas të afërmve, prej kohësh ishte e dobët. Profesori dhe dirigjenti Milto Vako, përpos kontributit të vyer të tij në muzikë dhe në katedër, ishte edhe anëtar nderi i Forumit Ballkanik Koral.

Milto Vako u lind në Pogradec në 30 mars 1930. Kreu shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” në vitin 1952. Në vitet 1953–1959 vijoi studimet e larta në Konservatorin “Çajkovski” në Moskë, ku diplomohet si dirigjent kori, me profesorin e famshëm Sokollov.

Pas studimeve u emërua dirigjent në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, njëkohësisht pedagog në Institutin e Lartë të Arteve dhe në Liceun Artistik. Në 1964-1968 punoi si dirigjent në Teatrin e Operas dhe Baletit. Në 1968-1973 ishte udhëheqës artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në 1973 dënohet, largohet nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore dhe internohet në Tepelenë, ku punoi për dy vjet rresht në kushte të vështira.

Në 1975 arrestohet nga regjimi komunist dhe dënohet për agjitacion e propagandë. Vuan dënimin në burgun e Tepelenës e në Ballsh deri në vitin 1982. Pas burgut, deri në vitin 1991 punon si punëtor në ndërmarrjen e Mirëmbajtjes së Shkollave të Tiranës. Në vitet 1991–1993 kthehet pedagog në Akademinë e Arteve. Ndërsa në vitet 1993-2001 ishte shef i katedrës së kantos e dirigjimit.

Nga 2001 e deri më sot ishte pedagog i katedrës së kantos dhe dirigjimit. Ka themeluar dhe drejtuar koret e vajzave në Akademinë e Arteve si dhe korin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ka dhënë me dhjetëra koncerte si brenda e jashtë vendit, ku është nderuar me çmime të ndryshme. Ishte autor i shumë teksteve dhe ka mbajtur titullin profesor, si dhe “Artist i merituar”.