Aktualitet

Shuhet në moshën 53-vjeçare Arben Laze!

Një lajm shumë i trishtë ka ardhur për komunitetin e sportit në Shqipëri, teksa në orët e vona të mërkurës është ndarë nga jeta në moshën 53-vjeçare presidenti i Elbasanit, Arben Laze. Ky i fundit prej disa ditësh ishte në gjendje të rënduar si pasojë e problemeve kardiake dhe për fatin e keq nuk ia ka dalë të fitojë betejën me jetën.

Në drejtimin e tij, klubi i Elbasanit për disa vite u kthye në protagonistin kryesor në futbollin shqiptar duke fituar titullin e dytë kampion në historinë e klubit pas 22 vitesh, në sezonin 2005-2006. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mikut të tij. Duka shkruan se futbollit do i mungojë energjia dhe pasioni që ai kishte, ndërsa atij vetë do i mungojë miku i mirë.

Pak orë më parë mora lajmin e rëndë se miku im i mirë, Presidenti i Elbasanit që ai e deshi aq shumë, Arben Laze, u nda nga ne. Është e vështirë dhe tani për mua ta besoj dhe të shkruaj këto fjalë për një njeri të mirë, plot humor dhe optimizëm, që kontribuoi aq shumë për futbollin shqiptar. Beni ishte një mik i të gjithëve ne, një njeri që nuk hiqte dorë lehtë nga përgjegjësitë dhe sfidat. Energjia e tij do t’i mungojë komunitetit të futbollit. Në këtë moment të vështirë për familjen e tij, miqtë e tij të shumtë, lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe. Lamtumirë miku im, do më mungosh!