Celebrities Live From Tirana

Si e bindi Eriona Rushiti, Jonida Maliqin për rikthimin në festivale pasi ajo kishte hequr dorë.

Sot e ftuar në emisionin “Live From Tirana” ka qenë kompozitorja dhe pedagogia e njohur Eriona Rushiti. Artistja ka dhënë mendimin e saj rreth temës “Përse të studiosh muzikë që fëmijë të bën një të rritur më të mirë”? Duke qenë se Eriona është edhe pedagoge në Universitetin e Arteve është pyetur se si është për të që të punosh me të rinjtë.

Fillimisht kam qenë pedagoge e jashtme prej disa vitesh dhe tani si e brendshme. Kam parë dhe ndryshime nga studenti në student, nga viti në vit, nga brezi në brez. Ka rënë cilësia e studentit dhe kjo ka të bëjë me përkushtimin. Unë jam privatisht edhe në një shkollë tjetër tek fëmijët e vegjël, jap teorinë e muzikës dhe së shpejti do të jap edhe kor. Shikoj që kur do një femijë të merret me muzikë, punohet shumë mirë. Ka fëmijë që punojnë dhe e duan muzikën. Por nuk e di çfarë ka ndodhur, ka një neglizhencë dhe mungesë dëshire. Muzika do shumë përkushtim. Unë e kam nisur që në moshë 6-vjeçare, kam studiuar 12 vite violinë, studioja 3-4 orë në ditë violinë. Kur je i vogël nuk e kupton se çfarë je duke bërë por më vonë ja ndjen të gjitha frytet. Sot jam e bindur që të rinjtë nuk e kanë më durimin e dikurshëm dhe kjo sjell edhe pasojat.

Duke qenë se trendet e muzikës kanë shkuar larg klasikes tashmë, çfarë mendon Eriona për këtë?

Profesionisti mbetet profesionist. Në qoftë se do të studiosh për një instrument abc-ja është tek Mozart-i. Një instrumentisti i duhen orët e punës, duhet të studiojë, i duhet teoria e muzikës. Edhe ata që mundohen ta bëjnë për hobi, familjet duhet të fusin një fëmijë të merret me muzikë sepse duke e futur në muzikë rritet përkushtimi ndaj gjithçkaje. Ty të edukohet durimi, përkushtimi dhe të qenurit me veten. Që fëmijë ne fillojmë zbulojmë veten, muzika të zbut botën shpirtërore. Trendet kanë ndryshuar por shkolla mbetet shkollë.

Ja si zgjedh që të shprehet kompozitorja kur bëhet fjalë për pjesën që: “Nëse je artist je njeri më i mirë”.

Sigurisht, sepse të merresh me muzikë përpunohesh brenda vetes. Të dëgjosh një melodi të bukur ndikon të sillesh edhe më bukur. Të studiosh një instrument të bën të ndjesh të bukurën dhe ajo që ti do të reflektosh sigurisht që do jetë më e bukur. Në qoftë se rritemi në një ambient negativ atë do të përcjellim.

Eriona është nënë e një djali 16-vjecar por sa përpiqet ajo ta edukojë djalin e saj me artin?

Ne si popull jemi të prirur për t’u marrë me muzikë. E ndjej që 80% kanë një vesh të mirë muzikor qoftë ritmik apo melodik. Atë e ndjen në çdo familje shqiptare, përshembull kur kemi gëzime familjare. Edhe me djalin kështu ka ndodhur, ai kishte një vesh të mirë muzikor. Kam dashur t’i mësoj pianon por kjo gjë nuk bëhët kur e ke fëmijë të vetëm dhe të përkëdhelur (qesh). Ai rritet në një ambjent artistësh dhe dashje padashje do të marrë frymën artistike. Unë dua që në të ardhmen të merret dhe ma thotë që dua të merrrem me diçka që ta krijoj unë.

Eriona Rushiti ka qenë kompozitore e këngës së Jonida Maliqit “Ktheju Tokës”, e cila përfaqësoi Shqipërinë në ‘Eurovision’ në vitin 2019 po si ka qenë ky bashkëpunim për të?

E kam thënë shpesh që ne na bëri fati bashkë, asgjë nuk ishte e planifikuar. Kisha një material që ishte bërë enkas për skenë, dhe mendoja një këngëtare me potencial vokal. Komunikova me Jonidën, e cila kishte hequr dorë nga festivalet, koncertet dhe gjithçka. Jonidën më qëlloi që ta kisha studente dhe më mbante mend me termin zysha. Më tha që do takohemi për kënaqësi por unë nuk marr pjesë nëpër gara. Por pasi e dëgjoi ngeli pa fjalë dhe u emocionua shumë. Kështu u vendos të merrnim pjesë në festival, gjërat erdhën shumë natyrshëm dhe kur bëhen me shpirt, sinqeritet dhe pastërti vijnë shumë bukur. Ka qenë rrugëtim fantastik, shkuam në Izrael dhe kam kujtime të mrekullueshme.

A ka këngë që Rushiti i dëgjon pas disa kohësh dhe mund që t’i sjellin një lloj kritike për veten?

Jo gjithçka që krijohet është në maksimumin e vet. Jam koshiente që kur jam duke e krijuaj diçka që ka një afat kohe dhe që nuk kam dhënë maksimumin tim, kjo gjë ndihet edhe më pas. Një gjë e bërë me shumë dashuri, frymëzim dhe përkushtim është gjithmonë e bukur. Frymëzimi është gjëja më e rëndësishme në një krijimtari. Ndërsa kur e shikon që nuk është aty ku duhet, patjetër që ka nevojë. Sivjet u vlerësova me çmim të parë në festivalin e Shkodrës me një këngë kushtuar marrëdhënies vajzë-baba, ‘Princesha e babit’ quhet dhe trajton në tekst pikërisht vallëzimin e parë që ka vajza me babain dhe që mbetet gjithë jetën. Në mungesë të babait tim ishte dhe një lloj kujtimi të këtyre detajeve të vogla që flasin për gjithë ecurinë.

Lidhur me një kujtim që Erionës nuk i ka lënë shije të mirë nga ‘Eurovision’-i, ajo shprehet se:

Ditën e parë që u ngjitëm në skenë, kënga kishte pritshmëri shumë të mëdha dhe kur bëmë provën skenike ishte asgjë. Nuk ekzistonte asnjë skenografi. Ishte momenti që nuk dinim ku të futeshim, një kaos i vërtetë dhe të vinte keq që kënga të humbiste për këtë gjë. Ndodhi një mosmarrëveshje, regjisori nuk vinte dot, kishim një përpjasje me RTSH-në. Gjithcka çfarë kishte ndodhur ishte aty për aty, kurse shtetet e tjera kishin bërë investimin me shifra marramendëse. Ndërsa momenti më i bukur ishte kur kaluam në finale.

Nuk kishte si të mungonte as pyetja se çfarë do të presim së shpejti nga kompozitorja?

Kemi një këngë të albumit me Aurelën që do të vijë së shpejti dhe kemi tekstin gati, me Mentor Hazirin kemi një album, me disa të rinj kam disa porosi për Këngën Magjike.