Aktualitet

Sot 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Kombit/Homazhe e mesazhe!

Sot është 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Kombit. Të rënët përkujtohen me nderime dhe ceremoni pranë Monumentit “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve. Kryeparlamentarja Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kryen homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, duke u përkulur me nderim para Monumentit “Nënë Shqipëri”.

Në këtë ditë nuk mungojnë mesazhet e politikës. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi përkujtoi sot punonjësit e Policisë së Shtetit, të rënë në krye të detyrës.

Lavdi atyre që në kujtesën dhe historinë e Shqipërisë kanë për të mbetur të pavdekshëm falë veprës e sakrificës sublime që bënë. Lavdi dëshmorëve të Policisë së Shtetit, që përtej plagëve të pangushëllueshme që kanë hapur në shpirtin e familjeve të tyre, emri dhe vepra që kanë lënë pas do të jenë të përjetshme.

Nikolla: Sakrifica e heronjve, inspirim për zhvillimin e kombit

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla shkruan:

Sot nderojmë me përulësi Dëshmorët e Atdheut. Sakrifica sublime e dëshmorëve për lirinë është një trashëgimi e shenjtë dhe ndër legacitë sipërore të kombit.

Është thirrja t’i shërbejmë Shqipërisë me të gjitha energjitë dhe fuqinë e shpirtit, t’i përkushtoheni të ardhmes sonë evropiane, në krah të aleatëve të mëdhenj, SHBA e BE, dhe kombeve të qytetëruara.

Është inspirimi për kontributet tona për zhvillim,  mirëqenie, dinjitetin njerëzor dhe drejtësinë shoqërore. Kombet që nderojnë historinë janë më të lirë e më të qartë të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Meta: Do të kujtojmë me nderim sakrificat e tyre

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta vendosi kurora me lule në nderim të heronjve në Gosë të Rrogozhinës. Meta tha se shqiptarët do të kujtojnë gjithmonë me nderim sakrificat e tyre.

Sot në Ditën e Dëshmorëve në Gosë të Rrogozhinës vendosëm kurora me lule në nderim të Heronjve të Popullit, Margarita dhe Kristaq Tutulani.

Ekzekutimi i tyre mizor nga pushtuesi ishte një përpjekje e dëshpëruar për të trembur rininë anembanë vendit për t’iu bashkuar Luftës Antifashiste për liri.

Ne do t’i kujtojmë gjithmonë me nderim dhe dashuri për sakrificat më sublime që ata bënë e kurrë nuk do e harrojmë porosinë e Margaritës se atdheu na duhet që të jetojmë të lirë.