Aktualitet

Veliaj thirrje shqiptarëve në Londër: Votoni për rizgjedhjen e Sadiq Khan!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka bërë thirrje shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova me banim në Londër, që të votojnë për rizgjedhjen e Sadiq Khanit në krye të bashkisë. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj tha se ata që mohojnë gjithçka janë njësoj në mbarë botën, por Khan e ka kthyer Londrën në një kryeqytet lider në botë.

Veliaj thekson se “vota për Sadiq Khan është edhe një moment për të shkruar historinë moderne të Europës”.

Të gjithë miqve tanë në Londër, ju lutem votoni, por votoni me mençuri, për të zgjedhur mikun e të gjithëve dhe ai është Sadiq Khan. I imagjinoj komentet tuaja, qyteti, kryetari, situata, nuk janë perfekte. Ata që mohojnë gjithçka janë njësoj në mbarë botën dhe qyteti i përsosur ende nuk ekziston! Por, unë e njoh Sadiq, zemrën, mendjen dhe pasionin e tij, që i kanë dhënë shumë Londrës dhe e kanë bërë atë një frymëzim, një kryeqytet lider në mbarë botën.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se “Londra është sot një qytet më i pastër, më i sigurt dhe më i gjelbëruar! Ndaj votoni Sadiq Khan dhe sigurohuni të bëni pjesën tuaj në historinë moderne të Europës”.

Votuesit britanikë sot zgjedhin drejtuesit lokalë dhe ky shihet si testi përfundimtar i opinionit publik përpara se kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak të përballet edhe me zgjedhjet parlamentare në fund të vitit.

Parashikimet sugjerojnë se konservatorët në pushtet mund të humbasin deri në gjysmën e vendeve në këshillat lokale. Kancelari Jeremy Hunt nuk e ka fshehur se partia pret të pësojë “humbje të konsiderueshme”.

Shumica e vendeve për rizgjedhje u kontestuan për herë të fundit në vitin 2021, në kulmin e popullaritetit të Boris Johnson-it, pas përhapjes së vaksinës kundër COVID-19/ës.

Gjithsej 11 gara për kryetar bashkie po zhvillohen gjithashtu, duke përfshirë atë për kryebashkiakun e Londrës, kandidatit të laburistëve, Sadiq Khan dhe sfidueses konservatore, Susan Hall.

Kryebashkiakët konservatorë Andy Street në West Midlands dhe Ben Houchen i Tees Valley po përballen gjithashtu me beteja kyçe për rizgjedhjen, me sondazhet që sugjerojnë gara të ngushta me kundërshtarët e tyre laburistë.

Të dyja partitë kryesore kanë kërkuar të menaxhojnë pritshmëritë para ditës së votimit, me Hunt që këmbëngul se qeveritë mund të “dënohen” në votat lokale. Laburistët thonë se sistemi i kryebashkiakut favorizon pushtetarët, megjithëse lideri i opozitës Keir Starmer vuri në dukje se ai “shpreson” se do të fitojë zgjedhjet në West Midlands.