Bota

Takimi Biden-Putin, Kremlini pa plane specifike!

Për të penguar pushtimin rus të Ukrainës, presidenti Joe Biden është pajtuar në parim të takojë në ditët e ardhshme homologun Vladimir Putin e për këtë ndërmjetësoi presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Për Shtëpinë e Bardhë, një takim Biden-Putin është i mundur pas 24 shkurtit kur të bisedojnë kryediplomatët Blinken e Lavrov.

Sipas Kremlinit, ende nuk ka plane specifike për një samit, por do të zhvillohej në çdo moment, nëse dy liderët japin OK-ein. Zëdhënësi Dmitry Peskov:

Takimi është i mundur nëse liderët konsiderojnë se është i nevojshëm. Nuk ka plane konkrete për vendin dhe kohën e mbajtjes së një takimi të tillë.

Në qershor të vitit të kaluar, Biden dhe Putin u takuan për herë të parë në Gjenevë të Zvicrës, në një samit që u nxit nga një grumbullim më i vogël i ushtrisë ruse pranë Ukrainës, pranverën e 2021-shit. Ukraina e mirëpret nismën e Francës për të ulur në bisedime dy liderët. Kryediplomati Dmytro Kuleba:

Ne mirëpresim këtë nismë. Besojmë se çdo përpjekje që ka për qëllim zgjidhjen diplomatike, vlen të provohet! Shpresojmë që dy presidentët do të dalin nga takimi me një marrëveshje që Rusia të tërheqë trupat nga Ukraina.

Para samitit, Biden do të marrë pjesë në takimin virtual me liderët e G7-ës, më 24 shkurt. Nuk ka diskutim që aty do të bisedohet për krizën e shkaktuar nga grumbullimi ushtarak i Rusisë. Në G7 bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania, Kanadaja, Italia dhe Japonia.

Aktualisht, Rusia ka pozicionuar mbi 150 mijë trupa luftarake përreth Ukrainës. Moska e zemëroi më shumë Kievin dhe Perëndimin pasi shkeli premtimin se do t’i tërheqë kur të përfundojnë stërvitjet ushtarake në Bjellorusi. Por, këto stërvitje të planifikuara të mbylleshin dje u zgjatën edhe më shumë.

Kremlini po kërkon t’ia ndalojë Ukrainës anëtarësimin e NATO-s dhe sërish ta tërheqë këtë shtet brenda sferës së ndikimit të tij. Njëherazi, Rusia vazhdimisht mohon se po planifikon ta pushtojë Ukrainën duke pretenduar se ka nisur tërheqjen e disa forcave. Shtetet e Bashkuara dhe NATO nuk shohin sinjale se po ndodh tërheqja e trupave.