Bota

Tjetër kthesë në procesin ndaj Julian Assange, Gjykata e Lartë britanike pro ekstradimit!

Në Londër, Gjykata e Lartë përmbysi vendimin e shkallës së parë, që ndalonte ekstradimin në Amerikë të Julian Assange-it. Themeluesi i Wikileaks-it kërkohet me ngulm nga drejtësia amerikane lidhur me skandalin e disa viteve më parë kur tronditi botën me publikimin e materialeve sekrete të selive diplomatike të Uashingtonit në botë, përfshirë Shqipërinë.

Tashmë, çështja e ekstradimit apo jo të Assange-it do të rishqyrtohet nga një tjetër gjykatë britanike.  Gjykatës së Lartë iu drejtua pala amerikane që kundërshtonte ndalimin e ekstradimit mbi bazën e një rreziku të mundshëm vetëvrasjeje, të lidhur me trajtimin e tij gjyqësor e më pas në burg, në Shtetet e Bashkuara. Tashmë, nga autoritetet amerikane, gjyqtarët britanikë kanë marrë garanci për qëndrimin në qeli nëse Assange do të ekstradohej. Do të bëhet gjithçka që të shmanget mundësia për t’i dhënë fund jetës.

Lord Burnett deklaroi:

Në gjykimin tonë, ky rrezik përjashtohet, nisur nga garancitë që na jepen. Një përfundim i tillë, mjafton për të vendosur në favor të Shteteve të Bashkuara.

Assange: “Vendimi përbën një gabim të rëndë gjyqësor”

Stella Moris, partnere e Julian Assange-it dhe pjesëtare e ekipit të tij ligjor të mbrojtjes reagoi me një mesazh në Twitter, ku vendimin e Gjykatës së Lartë britanike e cilëson “gabim të rëndë gjyqësor”. Moris paralajmëron se do të reagojë duke e apeluar këtë vendim. 50-vjeçari australian, të cilit Amerika i është vënë pas prej më shumë se një dekade, rrezikon 175 vjet burg në Shtetet e Bashkuara, për përhapjen e dokumenteve sekretë.

Edhe për Moskën, vendimi është “i turpshëm”. Qëndrimin e shprehu zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.