Bota

Tjetër sulm në Detin e Kuq, goditet me raketa anija greke!

Një anije greke me flamurin e Maltës është goditur me raketë në Detin e Kuq në brigjet e Jemenit, ka deklaruar autoriteti i sigurisë detare Ambrey.

Incidenti i së martës vjen pasi ushtria amerikane njoftoi se kishte konfiskuar armë të furnizuara nga Irani për Houthis gjatë një operacioni javën e kaluar.
Ndërkohë, SHBA-ja ka goditur më shumë objektiva në zonat e kontrolluara nga Houthi të Jemenit.

Një zyrtar ka deklaruar se SHBA kreu sulme të mëtejshme në pozicionet e Houthive gjatë natës. Katër raketa balistike kundër anijeve që ishin gati për t’u lëshuar u shkatërruan, tha zyrtari.
SHBA dhe Britania e Madhe nisën një valë sulmesh ajrore kundër dhjetëra objektivave Houthi më 11 janar pas sulmeve të grupit të mbështetur nga Irani mbi anijet në Detin e Kuq. Nuk dihet ende se çfarë është sulmuar në operacionin e fundit amerikan, ndërsa Houthi-t janë zotuar të hakmerren.

Të dielën, SHBA tha se kishte rrëzuar një raketë të gjuajtur drejt një prej anijeve të saj luftarake nga një zonë Houthi në Jemen.

Disa anije janë shënjestruar nga luftëtarët e lëvizjes që nga nëntori në shenjë proteste ndaj luftës së Izraelit me Hamasin. Houthi-t thonë se ata kanë në shënjestër anijet që janë në pronësi izraelite, ose që po shkojnë drejt porteve izraelite. Megjithatë, shumë prej tyre nuk kanë lidhje me Izraelin. Zografia, e cila ishte bosh, po lundronte nga Vietnami për në Izrael me 24 anëtarë të ekuipazhit në bord kur u godit të martën, thanë për mediat burime të ministrisë greke të anijeve.

Deti i Kuq lidh Oqeanin Indian me Mesdheun nëpërmjet Kanalit të Suezit, por disa linja detare kanë njoftuar se tani po devijojnë rreth Kepit të ‘Shpresës së Mirë’ për të arritur në Evropë.