Bota

Ukraina nis regjistrimin e dëmeve të luftës ruse!

Kievi zyrtar ka hapur online Regjistrin e Dëmeve dhe u ka bërë thirrje ukrainasve “të kërkojnë kompensim për dëmet apo shkatërrimin e godinave të banimit” e që janë shkaktuar gjatë pushtimit rus të Ukrainës. Luftimet nisën në muajin shkurt të vitit 2022, siç bëri të ditur ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

Përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter, Kuleba shkroi se gjatë adresimit në Konferencën e Hagës të një dite më parë, ai theksoi se “ukrainasit kanë nevojë për drejtësi tani. Jo në një të ardhme të largët”.

Në deklaratën përfundimtare të Konferencës për Drejtësi për Ukrainën, përfaqësuesit e 44 shteteve dënuan “aktet e agresionit nga Federata Ruse kundër Ukrainës”, si dhe konfirmuan zotimin e tyre për krijimin e një “gjykate të posaçme në lidhje me hetimin dhe ndjekjen e krimit të agresionit kundër Ukrainës”.

Në deklaratë u tha qartë se Rusia duhet të përballet me të gjitha “pasojat ligjore për të gjitha aktet e saj të paligjshme ndërkombëtare… përfshirë pasojat për lëndimet apo çdo dëm të shkaktuar nga këto akte”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri i Jashtëm i Holandës, Hanke Bruins Slot, që ishte organizator i konferencës, vlerësoi pozitivisht regjistrin e krijuar nga Kievi zyrtar, duke thënë se ishte një përparim “për të arritur deri te llogaridhënia dhe te kompensimi”.

Ndërkaq, sot, Kuleba merr pjesë në takimin e kryediplomatëve të vendeve të NATO-s në Bruksel. Takimi mbahet një ditë pasi sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg, propozoi krijimin e një fondi pesëvjeçar në vlerë prej 100 miliardë dollarësh për t’i ofruar armë Ukrainës.

Një burim nga NATO i tha gazetarëve se “ministrat e Jashtëm do të diskutojnë për mënyrën më të mirë të organizimit të mbështetjes së NATO-s për Ukrainën, për ta bërë mbështetjen më të fuqishme, më të parashikueshme e po ashtu afatgjatë”.

Megjithatë, duket theksuar se për këtë fond, nuk pritet që të merren vendime deri në samitin e NATO-s që do të mbahet në muajin korrik në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.