Aktualitet

Vjosa “Park Kombëtar”, Rama: Moment historik, tigri nuk u zbut!

Vjosa, “Park Kombëtar”, vendimin, kryeministri Rama e cilësoi “moment historik në përpjekjen për mbrojtjen e natyrës”. Ndërsa hodhi firmën e fundit për aktin final të statusit Park Kombëtar të lumit Vjosa,  nga Tepelena, Rama  kishte një mesazh për ambientalistët europianë:

Sot ne mbrojmë përgjithmonë lumin e fundit të egër të Europës. Në këtë rrugë patëm shumë europianë që pasi i zbutën lumenjtë e tyre të egër u turrën te Vjosa, që ta mbrojnë nga zbutja. Shumë europianë që tigrat e natyrës së tyre i kthyen në mace, u kthyen nga ne që të mos guxojmë të zbusim tigrin tonë. Atyre u japim mundësinë të bëjnë një larje të ndërgjegjes, sikundër mes tyre patëm fatin të takojmë njerëz të cilët, janë bekim i këtij planeti.

Rama bëri të ditur se me Greqinë po diskutohet për të trajtuar shtratin e Vjosës si pasuri e përbashkët. Për Vjosën, investohen 80 milion dollarë për trajtimin e ujërave të zeza.

Jemi në një bashkëbisedim shumë inkurajues dhe me fqinjët, Greqinë, për ta trajtuar shtratin e Vjosës si  pasuri të përbashkët e për të bashkëpunuar për financat, për pjesën e parë me 80 milion dollarë që do të vihen në dispozicion të këtij parku. Kjo, që të gjitha bashkitë e komunitetet e bashkive që përshkon Vjosa, të mos derdhin më ujërat e zeza në lumë. Një projekt masiv për realizimet në të gjitha këto bashki dhe përpunimin e ujërave të ndotura. Pjesë e kësaj shume do të jenë dhe mbështetjet financiare me grante apo kredi shumë të buta për bizneset që do zhvillohen në këtë territor. Biznese të reja dhe pranë natyrës.

Rama dha edhe zotimin për të kthyer në zonë të mbrojtur, 30% të territorit.

Sot Shqipëria ka 21% të territorit zonë të mbrojtur. E kemi gjetur me shumë më pak kur morëm detyrën dhe çdo vit rritëm sipërfaqen. Objektivi ynë, ta çojmë në 30% territorin zonë e mbrojtur. T’iu japim njerëzve një perspektivë të re zhvillimi, për të cilën nuk mjafton të kesh Vjosën, por të dish se si. Këtu bëhet e domosdoshme gjetja e partnerëve dhe aleatëve të ditur.  Ne sot jemi krenar për shumë gjëra që kemi bërë në funksion të mjedisit.