Rajoni

Vrasja e Liridonës, paraburgim për të dyshuarin e katërt!

Gjykata Themelore në Prishtinë sot vendosi një masë paraburgimi për shtetasin T.D, i arrestuar si i dyshuari i katërt që besohet se u përfshi në vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj, më 29 nëntor, një ngjarje që tronditi mbarë opinionin publik. Ende nuk ka një motiv zyrtar, duke i lënë vendin shumë aludimeve e spekulimeve. Në njoftimin zyrtar për media, nuk është bërë e ditur kohëzgjatja e kësaj mase paraburgimi.

Sipas një komunikate të bërë publike nga gjykata, i pandehuri dyshohet që nëse lihet në liri, mund të ndikojë te të dëmtuarit e te frikësimi i dëshmitarëve të rastit.

Besohet se më 29 nëntor, rreth orës 14:00, në vendin e tij të punës dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, ua ka shitur armën shtetasve N.M dhe G.P, armë e cila më pas dyshohet se është përdorur për kryerje të vrasjes.

Liridona u vra barbarisht me armë zjarri në një fshat në afërsi të Prishtinës ndërsa gjendej në automjet me bashkëshortin e dy fëmijët e mitur. Naim Murseli u arrestua dhe gjendet në paraburgim me bashkëpunëtorët e dyshuar. Fillimisht, Naim Murseli foli për një grabitje që më vonë rezultoi një inskenim. Ai tha se kur u përball me grabitësit e armatosur që i prenë rrugën makinës, mendoi të kujdesej për fëmijët e çiftit. Liridona mbeti e braktisur dhe ky variant nuk i bindi hetuesit.

Vrasja e Liridonës është dënuar ashpër nga autoritetet në Kosovë e po bëhen thirrje për të bërë drejtësi. Zemërim të shtuar ka shkaktuar edhe fakti që vrasja u krye në prani të dy fëmijëve të saj. Teksa presin drejtësi, familjarët e së ndjerës i bënë kërkesë prokurorisë për zhvarrimin e 30-vjeçares, që të prehet në varrezat e vendlindjes. Kjo kërkesë u pranua. Vetëm këtë vit, në Kosovë janë vrarë katër gra.

Në periudhën e muajve janar-nëntor, në Kosovë u raportuan rreth 2 mijë raste të dhunës në familje. Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, 90% e viktimave të kësaj dhune kanë qenë gratë dhe vajzat.