Bota

Yair Lapid, udhëheqësi i opozitës izraelite kërkon dorëheqjen e Netanyahut…

Udhëheqësi i opozitës izraelite Yair Lapid i kërkoi kryeministrit Benjamin Netanyahu të japë dorëheqjen dhe të ndjekë shembullin e kreut të inteligjencës ushtarake, Aharon Haliva, i cili njoftoi dorëheqjen e tij pas dështimeve në lidhje me sulmin terrorist të Hamasit më 7 tetor.

Udhëheqësi i Yesh Atid vlerësoi Haliva për vendimin e tij “të justifikuar dhe të respektuar” dhe argumentoi se “Kryeministri Netanyahu duhet të kishte bërë të njëjtën gjë”.

Kreu i qeverisë nuk ka marrë asnjëherë përgjegjësi për ngjarjet e 7 tetorit, thotë udhëheqësi i opozitës duke iu referuar kërkesave të tyre për ngritjen e një komisioni hetimor pas përfundimit të luftës për të vlerësuar atë që ndodhi dhe për të identifikuar përgjegjësit.

Ndërkohë Policia izraelite ka arrestuar dy palestinezët e dyshuar për sulmin e mëngjesit të sotëm në Jerusalem ku mbetën të plagosur lehtë tre këmbësorë.

Të dy, pasi kanë goditur me makinë kalimtarët në rrugën Techelet Mordechai, kanë zbritur nga makina me një automatik dhe kanë tentuar të hapin zjarr, por më pas janë larguar me vrap.

Të dy u fshehën në një dyqan aty pranë ku u gjetën nga oficerët. Ushtria izraelite kontrolloi shtëpinë në Hebron ku jetojnë dy të dyshuarit dhe po marrin në pyetje njerëzit në zonë.

Një varr masiv u zbulua një ditë më parë në Gaza, dy javë pasi forcat izraelite ishin larguar. Mbrojtja Civile Palestineze thotë se deri më tani janë gjetur 210 trupa në varrin masiv të zbuluar një ditë më parë, brenda spitalit Nasser në Khan Younis, në jug të Rripit.

Sipas departamentit të Mbrojtjes Civile Palestineze, disa nga trupat janë të njerëzve të vrarë gjatë rrethimit të spitalit nga forcat izraelite.

Pas tërheqjes së ushtrisë nga Khan Younis në fillim të prillit, banorët u kthyen për të kërkuar trupat e të të dashurve të tyre me qëllim që t’i varrosnin diku tjetër.