Botë e Çuditshme

Zbulohet në vendin që e ndalonte grimin buzëkuqi më i vjetër në botë!

Arkeologët kanë zbuluar buzëkuqin më të vjetër në botë në Iranin juglindor. Produkti i lashtë i bukurisë i gjetur së fundmi, me përmasa rreth 5 cm i gjatë, i ngjan një versioni cilindrik të buzëkuqit. Shkencëtarët kanë bërë të ditur se cilindri besohet të jetë përdorur nga kultura Jiroft, një qytetërim i epokës së bronzit.

“Është një zbulim i papritur aq më tepër sepse substanca përputhej në mënyrë të përkryer me formën e gurit që është aq afër buzëkuqëve të ditëve të sotme”,-tha arkeologu Massimo Vidale. Studiuesit e kanë vendosur buzëkuqin nën mikroskop, ku kanë vënë re pigmente të errëta të cilat nënkuptojnë se produkti origjinal ishte ngjyrë e kuqe.

Ata e vazhduan hetimin e tyre duke studiuar edhe përbërjen e tij që mesa duket ishte shumë i ngjashëm me produktet kozmetike të sotme. Por, të pranishëm në të ishin edhe përbërës si hematiti, një mineral oksid hekuri emri i të cilit rrjedh nga fjala greke “gjak” për shkak të ngjyrës së tij të kuqe.

Edhe pse buzëkuqi duket se ka ekzistuar për të paktën 5,500 vjet, studiuesit u befasuan kur e gjetën atë në Iran, vend që dikur e ndalonte grimin. Irani ndaloi produktet kozmetike menjëherë pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, por i lehtësoi kufizimet e tij duke lejuar të grimohen vetëm gratë që nuk punojnë në qeveri dhe studentet e mjekësisë.

E keni menduar ndonjëherë se buzëkuqi lidhet jo vetëm me tonin e ngjyrës së lëkurës suaj, por edhe me formën që fytyra ka?! Fytyrave të ndryshme u përshtaten ngjyra të ndryshme buzëkuqi. Zbuloni më shumë duke klikuar në këtë link. Ndërkaq, a e dinit se gjurmët e buzëve mund të lexohen në formë spirituale?! Jilly Eddy, e cila njihet si ‘buzologia’ e parë në botë, shpiku termin për këtë fushë në vitin 2012 me botimin e librit të saj “Lipsology: The Art and Science of Reading Lip Prints”.

Sa më e pigmentuar të jetë shenja e buzëkuqit në letrën e bardhë, aq më i guximshëm është personaliteti. Një shenjë më e lehtë dhe më e butë mund të nënkuptojë se dikush është i turpshëm ose i rezervuar. Megjithatë, kjo mund të ndryshojë në secilën buzë. Nëse ngjyra e buzëve është e barabartë në pjesën e sipërme dhe të poshtme, kjo nënkupton se dikush është shpirtërisht i ekuilibruar dhe më i lidhur me anën shpirtërore.