Aktualitet

Zjarret, Peleshi: 125 vatra në periudhën qershor-korrik, kritika kryebashkiakëve!

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi thirri në një takim Prefektët, kryetarët e bashkive si dhe drejtues të strukturave operacionale të mbrojtjes civile për të diskutuar në lidhje me masat për parandalimin e zjarreve gjatë sezonit të verës.

Në prani edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Arben Kingji, Ministri Peleshi kërkoi koordinim më të mirë të punës për përballimin e emergjencave në nivel vendor.

Peleshi tha se Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kanë kapacitete operacionale në dispozicion dhe janë të gatshëm të ndërhyjnë sa herë që nevojitet, por emergjencat si zjarret duhen sinjalizuar dhe ndalur që në fazën fillestare për të shmangur kalimin në përmasa më të mëdha.

Sipas tij, që prej një viti Shqipëria ka edhe mbështetje shumë të madhe nga anëtarësimi me të drejta të plota në Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile.

“Ne nuk jemi një vend pa kapacitete opreacionale. Kemi 1600 punonjës zjarrfikës në të gjithë vendin, 182 mjete zjarrfikëse, 80 autobute uji, kemi personelin dhe mjetet e FA që siç e dini që në cdo emergjencë janë në ballë të aksionit, të gjitha strukturat e policisë që është në dispozicion dhe me të cilët punojnë shumë mirë, urgjencën shëndetësore, rrjetin e vullnetarëve, etj. Kjo do të thotë që nëse në të gjitha nivelet vendore e qendore shterojnë burimet, ne kemi edhe një suport nga ky mekanizzëm që na ka funksionuar dhe është një nga më efiçentët. Teknologjia është shtuar. Kemi dronët për rikonjicionet, kemi dronët ”Puma” që janë vënë në punë nga viti i kaluar e që na japin informacion shumë të dobishëm dhe në kohë shumë të shpejtë. Gjithashtu edhe imazhet satelitore janë tani një ndihmë dhe një vlerë e shtuar”, u shpreh Peleshi.

Sipas këtyre të dhënave satelitore, Ministri Peleshi tha se janë evidentuar 125 vatra zjarrit në muajt qershor-korrik, vatra të cilat janë menaxhuar shumë mirë nga njëistë vendore. Duke folur për situatën aktuale në dy vatrat aktive, në pyllin e fshatit Peshatn në Fier dhe fushën e mbetjeve në Vlorë, z.Peleshi u shpreh:

“Sot kemi dy zjarre aktive dhe shumë kritike, një është pranë pyllit në fshatin Peshtan dhe vatra tjetër në fushën e mbetjeve në Vlorë. Zjarri në fushën e mbetjeve të Vlorës sot po përballohet nga forca të shumta të FA. Në Peshatn kemi 50 efektivë, dy autobotë uji, 15 forca bashkiake, krahas 50 forcave policore dhe helikopterit Cougar që ka punuar vazhdimisht. Dhe në Vlorë pas 20 ditësh u riaktivizua përsëri vatra. Helikopteri është aty me shumë mjete zjarrfikëse, autobotë uji dhe mjetet të tjera gërrmuese. Por duhet thënë që sa herë që ka një zjarr të madh, ka një lloj dështimi nga rrjeti i monitorimit dhe i sinjalizimit të hershëm. Nuk ka shans që nëse ky rrjet funksionon siç duhet, duke filluar nga kryepleqtë e fshatrave apo sensibilizimi i komuniteteve. Nëse njoftohet herët nuk ka mundësi që zjarri të marrë përmasa të mëdha”
, u shpreh Ministri i Mbrojtjes.

Z.Peleshi vlerësoi punën e bërë vitet e fundit sa i përket monitorimit, vëzhgimit dhe reagimit ndaj emergjencave, por shtoi se ka disa bashki apo rajone, kur kjo nuk funksionon.

“Kemi hyrë në një stinë shumë të nxehtë, më të nxehtë se ajo e vitit të kaluar, ajo e të nxehtit afrikan që pritet të prekë pjesën e Shqipërisë jugore dhe asaj të mesme, por nuk përjashtohet asnjë territor. Kemi patur edhe shumë zona të freskëta malore ku ka patur zjarre vitin e kaluar. Pra vigjilenca duhet të jetë kudo duke filluar nga komunitetet. Mbani kontakte të përditshme me kryepleqtë e fshatrave, t’i trajnoni, t’i kërkoni të njoftojnë. Sinjalizimi i hershëm është çelësi. Nga eksperienca ku funksion siç duhet sistemi nuk ka zjarre të mëdha. Shmangin atë që është thelbi, humbjen e jetëve të njerëzve, sepse përmasat e emergjencës nuk mund të rriten nëse jemi në mënyrë kapilare në monitorim. Kemi parë që vende shumë më të fuqishme se ne si Turqia, apo edhe së fundi Greqia përballen me emergjenca shumë të forta, dëme të mëdha, në njerëz në pasuri. Pra, nuk është e lehtë, sado ta kesh flotën e helikopterëve apo zjarrfikësit, nuk mund të përballesh me emergjencat kur ato marrin përmasa të mëdha ”, theksoi Ministri i Mbrojtjes. Ai kërkoi gjithashtu nga drejtuesit vendorë të kenë gati edhe planet e evakuimeve.