Bota Tech

3 prill 1973, thirrja e parë me një celular/Pas 10 vitesh u bë komercial!

Kanë kaluar plot 50 vjet pasi më 3 prill 1973 u krye telefonata e parë me një celular dhe për këtë u përdor një telefon DynaTac Motorola me madhësinë e një kutie këpucësh në qytetin e Nju Jorkut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Protagonist i këtij momenti historik ishte inxhinieri amerikan Martin Cooper.

“Ne në Motorola e kemi bërë këtë, telefonia celulare është një realitet”. Këto ishin fjalët e Cooper-it në thirrjen e parë “wireless” të zhvilluar me rivalin e tij të drejtpërdrejtë, studiuesin e Bell Labs, Joel Engel.

Por, vetëm shumë vite pas asaj telefonate të parë, eksperimenti arriti të ketë një audiencë më të gjerë dhe kjo falë caktimit të frekuencave të para e më pas marketingut të celularëve të parë.

Pasardhësi i prototipit të përdorur nga Martin Cooper është DynaTac 8000X, celulari i parë portativ që doli në shitje pikërisht më 6 mars 1983, duke hapur kështu një epokë të re në sektorin e telekomunikacionit dyzet vjet më parë, por po ashtu edhe në jetën tonë.

Telefoni që ju lejonte të bënit 30 minuta biseda telefonike, kishte një çmim bazë prej rreth 4 mijë dollarësh apo afro 3 mijë e 995 dollarë, ndërsa në industri njihej si “tulla” dhe i dukshëm në shumë skena nga filmi Wall Street i vitit 1987 me aktorin hollivudian Michael Douglas.

Martin Cooper, i lindur në vitin 1928, nuk e ka humbur dëshirën për t’u përfshirë në teknologji. Inxhinieri 94-vjeçar vazhdon të jetë “i lidhur” me profilin e tij në Tëitter @MartyMobile dhe publikon intervista. Së fundmi ai ka shprehur shqetësime për varësinë e telefonit dhe efektet e pajisjeve te fëmijët.