Aktualitet

50-vjetori i Akademisë së Shkencave, Rama: Mbrojti me forcë gjuhën shqipe!

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se Akademia e Shkencave është një institucion që mbrojti me forcë interesin e lartë kombëtar të gjuhës shqipe. Ai ishte i pranishëm në konferencën që u zhvillua në kuadër të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave.

Për çdo njeri që merret me shkencë termi Akademi ka një domethënie të madhe. Për ne Akademia ka qenë ëndërr. Ajo materializonte dëshirën e rilindësve për institucionet arsimore të së ardhmes. Akademia e re e Vokopojës, si institucion i ngritur nga programet e rilindësve, idetë e Nolit, Lumo Skëndos, Ndre Mjedës për zhvillimin e mendimit kritik dhe atij shkencor, Akademia edhe në atë kohë aq të zymtë në aspektin e lirisë, qëndronte sidoqoftë si mënjanë nga ndikimi politiko-shoqëror i vendit.

Kryeministri kujtoi fjalimin e lamtumirës së Aleks Budës në varrimin e gjuhëtarit Selman Riza, që ishte i dëbuar nga Instituti i Histori-Gjuhësisë dhe i lënë në harresë në një muze periferie në Berat derisa u nda nga jeta.

Thuhet se ky akt i Aleks Budës dhe prania në varrimin e gjuhëtarit të një sërë akademikësh të shquar bëri bujë si në institut edhe në mjedisin politik. Qëndrimi i profesor Budës në nderim të gjuhëtarit ishte një sfidë ndaj regjimit por edhe shprehje e mënjanësisë së Akademisë në funksion të nderimit të dijes, profesionalizmit, rrugës së shkencës, një nderim për një punë kolosale si ajo e Selman Rizës kushtuar vendit, kombit. shqiptarëve dhe një nderim nga vetë kryetari i Akademisë së Shkencave.

Rama theksoi se ne sot kemi një gjuhë të unifikuar dhe të shpëtuar dhe kjo i detyrohet në radhë të parë akademikëve të asaj kohe dhe asaj Akademie Shkencash që sot është në proces përpjekje për t’u rikthyer në lartësinë e një vendi që i takon.

Debatet që pasuan pas rënies së komunizmit në ballafaqimin me vendet e tjera të rajonit nuk do t’i bënim dot me argumentet shkencore që disponojmë, nëse s’do na i kishin lënë trashëgimi themeluesit e Akademisë së Shkencave. Nëse s’do kishin ekzistuar Çabej, Buda, do të ishim të paarmatosur në të gjithë rrjedhën e debatit të hapur mes vendeve për prejardhjen e tyre, gjuhën e tyre, historinë e tyre e kështu me radhë.

Kryeministri vuri në dukje se “kemi tepër argumente sot për t’u përballur me botën si shqiptarë se sa nga dialogu që pasoi dhe shkatërroi Akademinë e Shkencave, sigurisht me dorën e politikës që ndërhyri për shpërbërjen e strukturave të Akademisë së Shkencave dhe për braktisjen e atij rezervuari burimesh njerëzore që mbase ishin pjesa më e çmuar e trashëgimisë së të shkuarës”.

Po ashtu u shpreh se “sot gjuha shqipe është e kërcënuar si asnjëherë me parë”.

Gjithë ato që thuhen dhe gjithë ato që ndërmerren kundër gjuhës shqipe në rendin e pavërtete akademik, pseudo-akademikë në fakt, janë vetëm maja e një ajsbergu që po e gërryen gjuhën shqipe nga poshtë përmes shpërdorimit total të saj në një botë komunikimi ku askush më nuk e ka mendjen sa saktë shkruhen fjalët, por e ka mendjen që të bëjë “sent” sa më shpejt. Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe duhet të jetë një gur themeli për të përforcuar atë themel të jashtëzakonshëm që vendosën etërit themelues të Akademisë së Shkencave.