Aktualitet

75-vjetori i NATO-s, kryediplomati Hasani: Moment i rëndësishëm historik për Aleancën!

Me një videomesazh nga Brukseli, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani reagoi për 75-vjetorin e krijimit të NATO-s. Kryediplomati Hasani vë në dukje se “viti 2024 shënon një moment të rëndësishëm historik për NATO-n”.

Më 4 Prill, Aleanca jonë feston 75-vjetorin e saj. Ky vit paraqet një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pasi mbushen 15 vjet nga anëtarësimi i vendit tonë në Aleancë, në vitin 2009. 75 vitet e fundit janë një dëshmi e fuqisë dhe qëndrueshmërisë së NATO-s.

Aleanca jonë është përshtatur vazhdimisht me ndryshimin e peizazheve gjeopolitike, duke shfaqur qëndrueshmëri dhe fleksibilitet. E forcuar më tej nga bashkimi i kohëve të fundit i aleatëve tanë më të rinj: Suedisë dhe Finlandës, NATO sot qëndron si një garantues i palëkundur i sigurisë kolektive për të gjithë aleatët e saj, e gatshme të qëndrojë e tillë edhe për shumë dekada të tjera.

Ministri nënvizoi se “përballë agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe përshkallëzimit të kërcënimeve globale të sigurisë, rëndësia e NATO-s nuk ka qenë kurrë më e theksuar sa sot”.

Për Shqipërinë, data 1 Prill 2009, shënon një moment kyç në historinë tonë dhe një afirmim të aspiratave tona për të krijuar një shtet modern demokratik. Anëtarësimi në NATO për ne nuk ishte thjesht për të përfituar siguri; ishte gjithashtu për rrënjosjen e vendit tonë mes familjes demokratike, perëndimore të kombeve.

Në vitet që pasuan, ne kemi bërë maksimumin për të kontribuar në Aleancë, duke luajtur një rol të rëndësishëm, proaktiv në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë dhe duke kontribuar në misione dhe operacione në të gjithë globin.

Teksa përkujtojmë këtë moment historik, ne do të vazhdojmë kontributet tona për Aleancën tonë me të njëjtin përkushtim dhe entuziazëm të palëkundur që kemi treguar që nga dita e parë, në kërkim të paqes, sigurisë dhe prosperitetit.

Me ceremoni të ndryshme në Bruksel, sot NATO shënon 75-vjetorin e krijimit. Në kryeqytetin belg, një kostum i Aleancës i është veshur, Manneken Pis-it, statujës ikonë të qytetit që tregon një djalosh të vogël duke urinuar. Një “gallatë” për organizatën ushtarake që po “plaket”. Po ashtu, ministrat e Jashtëm të 32 aleatëve, përfshirë Suedinë mblidhen për dy ditë, por përtej atmosferës festive, jepen shenja për telashe të mundshme.

Takimi dyditor vjen gati saktësisht tre muaj para një samiti vendimtar të NATO-s në Uashington D.C, në korrik.

Në samit, ministrat e Jashtëm do të merren me luftën në Ukrainë, si duhet ta rrisë NATO mbështetjen për Ukrainën, të ardhmen e Ukrainës pas anëtarësimit të Suedisë në Aleancë dhe si mund të duket rruga drejt këtij synimi. Në fund, kush duhet ta zëvendësojë sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, i cili largohet në fund të vitit, pas një dekade në krye të Aleancës.

Këtë javë, ministrat e Jashtëm nuk do të marrin asnjë vendim për zgjidhjen e ndonjërës prej këtyre sfidave, por disa gjëra duhet të zgjidhen deri në takimin e shefave të tyre në kryeqytetin amerikan nga 9 deri më 11 korrik.

Çështja më e rëndësishme është mbështetja ushtarake për Ukrainën. Meqë ajo amerikane në vlerë rreth 60 miliardë dollarë ka ngecur në Kongres, miqtë europianë të Kievit janë duke bërë përpjekje këmbëngulëse për t’i dhënë çdo ndihmë që kanë mundësi partnerëve me mangësi në armatim. Ende ka frikë për një ofensivë ruse në muajt e ardhshëm e që mund t’i thyejë vijat mbrojtëse të Ukrainës.