Bota

Lufta në Ukrainë, Rusia sulmon sërish Odesën!

Nga një sulm me raketa të kryer sot nga Rusia në qytetin-port të Odesës në Ukrainë janë plagosur 14 persona, si dhe raportohet për dëme në infrastrukturën kritike civile, siç njoftoi kreu i administratës rajonale ushtarake, Oleh Kiper. Në Telegram, Kiper shkroi se nga sulmi në qytetin ukrainas të Odesës e që gjendet në Detin e Zi, u shkaktua një zjarr ndërsa shtoi se u dëmtuan depo të një poste lokale.

Një ditë më parë, nga sulmet ruse në Odesë u vra një person. Në ditët e fundit, Rusia ka sulmuar vazhdimisht Odesën, përfshirë sulmin e datës 29 prill kur forcat e Moskës përdorën raketa Iskandr. Pesë civilë u vranë gjatë atij bombardimi dhe 23 të tjerë u plagosën, siç bënë të ditur zyrtarët.

Lajmi për sulmin në Odesë vjen në të njëjtën ditë kur autoritetet lokale në rajonin rus të Smolenskut, raportuan se Ukraina ka sulmuar me dronë këtë rajon. Rusia tha se nga ky sulm nuk ka viktima. Po ashtu, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se ka rrëzuar 12 dronë ukrainas në pesë rajone.

Ukraina që po përballet me pushtimin ushtarak që Moska nisi në shkurt të vitit 2022, ende nuk ka komentuar për këto pretendime të Rusisë, të cilat nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

“Dronët ukrainas kanë goditur infrastrukturën e energjisë në rajonin Smolensk të Rusisë”, bëri të ditur guvernatori i këtij rajoni, Vasily Ankhin, përmes një postimi në Telegram, por nuk dha shumë detaje lidhur me këtë.

Rajoni i Smolenskut, sot u godit sërish nga dronët ukrainas. Në qarkun Rosllav, armiku tentoi të dëmtojë një objekt të energjisë elektrike. Nuk ka viktima e të plagosur. Ekipet e shpëtimit dhe ata të zbatimit të ligjit janë në vendin e ngjarjes.

Kohët e fundit, Ukraina po përballet me sulme të vazhdueshme ruse, të cilat po shënjestrojnë edhe infrastrukturën e energjisë. Ndërkaq, Kievi zyrtar, vazhdimisht sulme ajrore në rajonet ruse që janë në kufi me territorin ukrainas. Ukraina po kërkon përshpejtimin e ndihmës ushtarake perëndimore që të jetë më e suksesshme në operacionet e saj kundër pushtuesve rusë.

Në Rusi, presidenti Vladimir Putin flet për “operacion special ushtarak për çmilitarizimin e Ukrainës” e shmang përdorimin e fjalës “luftë”.