Bota

75 vjet NATO/Aleanca nën presionin e “moshës”!

Me ceremoni të ndryshme në Bruksel, sot NATO shënon 75-vjetorin e krijimit. Në kryeqytetin belg, një kostum i Aleancës i është veshur, Manneken Pis-it, statujës ikonë të qytetit që tregon një djalosh të vogël duke urinuar. Një “gallatë” për organizatën ushtarake që po “plaket”. Po ashtu, ministrat e Jashtëm të 32 aleatëve, përfshirë Suedinë mblidhen për dy ditë, por përtej atmosferës festive, jepen shenja për telashe të mundshme.

Takimi dyditor vjen gati saktësisht tre muaj para një samiti vendimtar të NATO-s në Uashington D.C, në korrik.

Në samit, ministrat e Jashtëm do të merren me luftën në Ukrainë, si duhet ta rrisë NATO mbështetjen për Ukrainën, të ardhmen e Ukrainës pas anëtarësimit të Suedisë në Aleancë dhe si mund të duket rruga drejt këtij synimi. Në fund, kush duhet ta zëvendësojë sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, i cili largohet në fund të vitit, pas një dekade në krye të Aleancës.

Këtë javë, ministrat e Jashtëm nuk do të marrin asnjë vendim për zgjidhjen e ndonjërës prej këtyre sfidave, por disa gjëra duhet të zgjidhen deri në takimin e shefave të tyre në kryeqytetin amerikan nga 9 deri më 11 korrik.

Çështja më e rëndësishme është mbështetja ushtarake për Ukrainën. Meqë ajo amerikane në vlerë rreth 60 miliardë dollarë ka ngecur në Kongres, miqtë europianë të Kievit janë duke bërë përpjekje këmbëngulëse për t’i dhënë çdo ndihmë që kanë mundësi partnerëve me mangësi në armatim. Ende ka frikë për një ofensivë ruse në muajt e ardhshëm e që mund t’i thyejë vijat mbrojtëse të Ukrainës.

Humori është më pak i zymtë se në fillim të këtij viti.

Ka një zymtësi tani për tani, por s’është katastrofike. Rusia po çan përpara disi, por ngadalë, tha një diplomat i NATO-s.

Tani, çështjet kryesore janë kundërajrorët dhe raketat për t’i mbrojtur qytetet e infrastrukturën ukrainase. Për Radion Evropa e Lirë, një burim tha:

Kjo nuk mjafton as për Ukrainën e as për aleancën dhe tani, ne nuk i kemi punët mirë me këtë.

Ndryshe nga predhat, raketat nuk mund të sigurohen jashtë aleancës apo të prodhohen shpejt sepse kjo është më e ndërlikuar teknikisht.

Një mënyrë për ta zgjidhur këtë çështje u paraqit nga vetë Stoltenberg para takimit të ministrave, sipas të cilës, NATO si organizatë do t’i ofronte Ukrainës një paketë pesëvjeçare me ndihmë ushtarake në vlerë deri në 100 miliardë dollarë.

Paratë do të siguroheshin nga të gjitha vendet anëtare, në përputhje me të Ardhurat e Brendshme Bruto, me të cilat financohet buxheti i përbashkët i NATO-s. Por, a do të pajtohen të gjitha vendet e NATO-s me këtë deri në kohën e samitit? Mbetet të shihet.