Bota

Agjentët e huaj, NATO dhe BE-ja dënojnë planet gjeorgjiane për ligjin!

Bashkimi Europian dhe NATO dënuan vendimin e vendit partner të Aleancës, Gjeorgjisë, për të rifutur legjislacionin që synon të frenojë organizatat joqeveritare të financuara nga jashtë, pasi një përpjekje e ngjashme dështoi vitin e kaluar përballë protestave masive. Projektligji i diskutueshëm, i ngjashëm me ligjin në fuqi në Rusi do t’u kërkonte organizatave që marrin fonde të huaja, të regjistrohen si “agjentë të huaj”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg iu përgjigj një pyetjeje pas takimeve të ministrave të Jashtëm në Bruksel.

Unë kundërshtoj çdo përpjekje të qeverisë gjeorgjiane për të rifutur projektligjin për agjentët e huaj ose ndikimin e huaj.  Planet do të kundërshtonin të gjithë përpjekjen për forcimin e institucioneve demokratike në Gjeorgji. Gjeorgjia duhet të punojë në reforma për t’iu afruar NATO-s e për t’iu afruar Bashkimit Europian.

Propozimi i projektligjit u tërhoq zyrtarisht në mars 2023, pas protestave masive. Kundërshtarët argumentojnë se miratimi i ligjit do të minonte demokracinë e Gjeorgjisë dhe do të zbehte shanset e vendit për t’u bashkuar me Bashkimin Europian, i cili e ka kritikuar ligjin. Partia në pushtet “Endrra Gjeorgjiane” njoftoi synimin e saj për ta riparaqitur draftin në parlament.

Populli gjeorgjian e ka bërë të qartë se dëshiron një të ardhme të begatë demokratike brenda familjes europiane dhe euroatlantike. Pra, çdo ligj që prezanton këtë ide të agjentit të huaj do të minojë të gjithë idenë për ta bërë Gjeorgjinë një shoqëri më të fortë demokratike, tha Stoltenberg.

Më herët, një zëdhënës i kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell tha se bllokut “i vjen keq që po shqyrtohet edhe një herë, pavarësisht reagimeve të forta publike e ndërkombëtare në mars 2023”.

Deklarata theksoi edhe se Këshilli Europian i dha Gjeorgjisë statusin e kandidatit me mirëkuptimin se Tbilisi do të ndërmerrte hapa duke përfshirë sigurimin që shoqëria civile të mund të funksionojë lirshëm e të luftojë “dezinformimin kundër BE-së dhe vlerave të saj”.

Ne nxisim liderët politikë në Gjeorgji që të miratojnë dhe zbatojnë reforma që janë në përputhje me objektivin e deklaruar për t’u bashkuar me Bashkimin Europian, siç mbështetet nga një shumicë e madhe e qytetarëve të Gjeorgjisë.