Bota

Mes tensioneve, Parlamenti i Gjeorgjisë rinis debatin për “agjentët e huaj”!

Parlamenti i Gjeorgjisë mbetet në gjendje gatishmërie të sigurisë pas përleshjeve gjatë orëve të para të ditës mes policisë dhe protestuesve që kundërshtojnë projektligjin për agjentët e huaj. Ky projektligj konsiderohet si pasqyrim i një ligji të përdorur nga qeveria ruse për të mbytur disidencën në Rusi.

Planifikohej që sot deputetët të rifillonin diskutimin e projektligjit, por dje në orët e vona, forcat gjeorgjiane të sigurisë përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë mijëra protestues. Një numër i panjohur personash u arrestuan dhe disa u plagosën.

Një gazetar i shërbimit gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë raportoi dy incidente në të cilat një individ i maskuar goditi me grushta në fytyrë protestuesit. Kjo ishte protesta më e fundit e një serie tubimesh masive gjatë dy javëve të fundit kundër ligjit të paraqitur nga partia qeverisëse Endrra Gjeorgjiane.

Draftin, kritikët e quajnë “ligj rus” dhe presidentja Salome Zurabishvili, e cila është distancuar nga politikat e partisë në pushtet premtoi se do të përdorë veton e saj ndaj këtij projektligji nëse ai miratohet zyrtarisht, siç edhe pritet.

Por, qeveria ka votat për ta anashkaluar një veto dhe ka thënë se do ta bëjë këtë. Ligjvënësit përfunduan seancën e djeshme pa votim.

Levan Ioseliani, Avokati i Popullit i Gjeorgjisë tha se kishte raportime për përdorim të tepërt të forcës nga oficerët e zbatimit të ligjit që qarkullonin në rrjete sociale dhe u bëri thirrje protestuesve “të mos shkojnë përtej tubimit paqësor”.

Ioseliani paralajmëroi se përdorimi i çdo lloj force apo mjeti special nga oficerët e zbatimit të ligjit “duhet të plotësojë testin e rreptë të domosdoshmërisë e proporcionalitetit”.

Nuk lejohet përdorimi i spray-t të piperit drejt fytyrës. Përdorimi i ndonjë mjeti të veçantë duhet të paraprihet me një paralajmërim.

Po dje, kolektivi ndërkombëtar i hakerave Anonymous shprehu mbështetje për protestuesit dhe paralajmëroi policinë gjeorgjiane se “sulmi ndaj protestuesve do të çojë në publikimin e informacionit për të gjithë zyrtarët e qeverisë”.

Në një postim në X, që më parë njihej si Twitter, grupi kërcënoi se do të sulmonte e publikonte bazat e të dhënave dhe e-mailet, duke theksuar se “ky është paralajmërimi i parë dhe i vetëm”.