Rajoni

AGK: Gjuhë e rrezikshme e ministrit Sveçla ndaj gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim ndaj një postimi të ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, në të cilin, sipas AGK-së, është përdorur gjuhë e rrezikshme ndaj mediave dhe gazetarëve.

“Ministri Sveçla insinuon se audio-incizimet e shefes së Grupit Parlamentar të partisë së tij, Mimoza Kusari Lila me ish-deputetin e Listës Srpska, Sllavko Simiq u janë dhënë medieve kosovare nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq”.

Për AGK-në, “gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediat”.

Ditë më parë Kusari – Lila, kryetare e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), është dëgjuar të ketë pohuar se ka komunikuar me nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, vitin e kaluar.

Përgjimet janë publikuar disa ditë më parë nga portali Nacionale. Nga LVV-ja, para dhe pas ardhjes në pushtet, Radoiçiq është cilësuar si kriminel që punon kundër shtetit të Kosovës.

Ministri Sveçla ka pretenduar përmes një postimi në Facebook se, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq “po e humb betejën në terren me [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurtin, prandaj edhe po i kthehet luftës hibride që përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë”.

“Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë”, ka thënë Sveçla.

Radio Evropa e Lirë nuk e ka verifikuar vërtetësinë e këtyre pretendimeve. Partitë opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kanë dënuar, po ashtu, deklaratën e ministrit.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria Kurti po kërkon përplasje.

“Kjo Qeveri e ka humbur arsyen. E ka humbur rrugën. Shpëtimin, sikur gjatë gjithë historisë së saj, e kërkon në përplasje civile. Turp i madh! Fatkeqësi e madhe!”

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar deklaratën e Sveçlës si të pamatur, nxitëse dhe ofenduese.

“Etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i luftëtarëve – edhe nëse s’pajtohemi me ta – është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë”.

Në pasditen e së shtunës në Prishtinë është thirrur një protestë kundër Qeverisë së Kosovës.

Në thirrje janë përmendur ato që janë konsideruar “veprime skandaloze të Qeverisë” dhe është kërkuar dorëheqja e deputetes Mimoza Kusari – Lila.