Aktualitet

Air Defender 2023/ Autoriteti i Aviacionit Civil: Priten vonesa dhe anulime fluturimesh!

Aleanca ushtarake e NATO-s do të zhvillojë në Europë “Air Defender 23”. Manovrat ajrore do të zhvillohen gjatë periudhës 12-23 Qershor ndërsa disa zona  fluturimi do të mbyllen përkohësisht për trafikun ajror civil. Autoriteti i Aviacionit Shqiptar bën me dije se për shkak të këtij aktiviteti priten vonesa dhe anulime fluturimesh.

Institucionet e linjës si Eurocontrol , Autoritetet e Aviacionit Civil, Albcontrol dhe Aeroporti Tirana International po punojnë intensivisht për minimizimin e këtij impakti.

Stërvitja “Air Defender 23” që fillon javën e ardhshme do të shohë 10,000 pjesëmarrës dhe 250 avionë nga 25 vende t’i përgjigjen një sulmi të simuluar ndaj një vendi anëtar të NATO-s.

Vetëm SHBA po dërgon 2,000 personel të Gardës Kombëtare Ajrore të SHBA dhe rreth 100 avionë për të marrë pjesë në manovrat stërvitore midis 12 dhe 23 qershorit.

Amy Gutmann, ambasadorja e SHBA-së në Gjermani, tha: “Do të isha shumë e befasuar nëse ndonjë lider botëror nuk do të merrte parasysh atë që tregon kjo për sa i përket frymës së kësaj aleance, që do të thotë fuqia e kësaj aleance.”

“Dhe kjo përfshin zotin Putin,” shtoi ajo.

Ndërsa stërvitja është planifikuar prej disa vitesh, pushtimi rus i Ukrainës e ka shtyrë NATO-n të përgatitet seriozisht për mundësinë e një sulmi në territorin e saj.

Suedia, e cila shpreson të bashkohet me aleancën, dhe Japonia po marrin pjesë gjithashtu në stërvitje.