Aktualitet

Aksident rrugor dhe sherr për motive të dobëta, 4 të plagosur në Tiranë!

Katër të plagosur në orët e fundit në Tiranë, në një aksident rrugor, si dhe në një sherr për motive të dobëta ku u përdor mjet prerës, xham. Një natë më parë, një makinë doli nga rruga pasi drejtuesi humbi kontrollin për arsye që ende nuk dihen, duke përfunduar në mjediset e brendshme të një lokali, pranë liqenit të Farkës. Për pasojë u plagos një 50-vjeçar dhe djali i tij, 25 vjeç. Lokali rezulton në pronësi të tyre, ndërsa vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

Si pasojë e përplasjes nga mjeti, mbetën të plagosur dy persona, babë e bir, 50-vjeçari Ç.B. dhe 25-vjeçari D.B.

Dy të lënduarit kanë qenë duke qëndruar në lokalin e tyre, në afërsi të liqenit të Farkës dhe drejtuesi i një automjeti dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij. Për pasojë, makina ka dalë nga rruga e është futur në lokal.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit rrugor.

Në një tjetër zhvillim, po në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, një sherr me përfshirjen e tre vetëve ndodhi në rrugën “5 Maji” në kryeqytet, me pasojë dy persona të plagosur.

Përplasja u regjistrua në afërsi të një shkolle private, aty ku një shtetas me iniciale A.D., për motive të dobëta dyshohet se është konfliktuar me 29-vjeçarin E.Sh, si dhe me 26-vjeçarin J.Ç,. të cilët janë lënduar lehtë me mjet prerës, xham.

Më pas i dyshuari ka braktisur automjetin që drejtonte dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Sa iu përket dy të lënduarve, bëhet e ditur se ata u dërguan për mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, grupi hetimor është duke punuar për kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për sqarimin e rrethanave të konfliktit me të dëmtuar.