Aktualitet

Aksidenti në Fortuzaj të Tiranës, shkon në 2 numri i viktimave/Range Rover-i ra në humnerë!

Rëndohet bilanci i viktimave të aksidentit rrugor të një dite më parë në fshatin Fortuzaj të Tiranës ku një Range Rover përfundoi në humnerë. Dje u raportua për një të vdekur, ndërsa sot u mësua se shkon në dy numri i atyre që ndërruan jetë, pasi një 33-vjeçar vdiq në spital duke mos iu mbijetuar dëmtimeve të rënda. Fillimisht, u mësua se viktimë mbeti Brusild Gjyla 26-vjeç, identifikimi i të cilit nuk u bë menjëherë, si dhe Denis Çali që u transportua i plagosur në spital, por fatkeqësisht nuk shpëtoi.

Në njoftimin e policisë thuhet:

Në vijim të aksidentit të ndodhur në fshatin Fortuzaj, ku një automjet ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, ju informojmë se të dy shtetasit që ndodheshin në automjet, Brusild Gjyla, 26 vjeç dhe Denis Çali, 33 vjeç, kanë ndërruar jetë.

Për nxjerrjen e trupave nga makina fuoristradë ndërhynë forcat zjarrfikëse. Një grup hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e aksidentit tragjik, i treti me pasoja fatale i shënuar dje në rrugët shqiptare. Më herët, në aksin Elbasan-Peqin humbi jetën një 58-vjeçar ndërsa në fshatin Shën Vasil të Himarës, një shtetas 40-vjeç.

Po ashtu, e djeshmja do të shënohet si një e premte e zezë në vendin tonë me mbytje e ngjarje aksidentale, krahas tre aksidenteve rrugore. 11 vetë humbën jetën një ditë më parë dhe me 33-vjeçarin që ndërroi jetë sot në spital pas aksidentit në Fortuzaj, bilanci rëndohet në 12 viktima, mes tyre katër pjesëtarë të së njëjtës familje.

Në liqenin e Banjës në Gramsh, hynë për t’u larë, por nuk mundën të dilnin më gjallë Gazment Zogu 46-vjeç me dy djemtë e tij të moshave 14 e 19-vjeç dhe nipin 20-vjeç, Melis Zogu të gjithë nga fshati Cingar.

Dy viktima të tjera u shënuan në plazhet e Durrësit e të Tales në Lezhë. Në Porto Romano, një 68-vjeçar hyri në det rreth orës 19:20, por sapo ra në kontakt me ujin nisi të kishte probleme shëndetësore e për fat të keq nuk mundi të mbijetojë dhe gjeti vdekjen. Në plazhin e Talës, viktimë mbeti një shtetas 52-vjeç.

Në një tjetër ngjarje tragjike, një 45-vjeçar bojaxhi humbi jetën ndërsa aksidentalisht ra nga lartësia në lagjen “Luigj Gurakuqi” të Elbasanit. Ai po lyente muret e një ndërtese.

Viktimave iu shtua dhe një grua. Dife Gërdani ndodhej në shtëpi në fshatin Shkallnur të Durrësit kur humbi jetën tragjikisht. Gruaja 70-vjeçe ra në kontakt me rrymën elektrike, ndërsa tentonte të piqte bukën në furrë.