Aktualitet

Aksidenti tragjik në Itali, nuk ka shqiptarë mes viktimave!

Sipas informacioneve, nuk ka shtetas shqiptarë mes viktimave të aksidentit tragjik në Mestre të Italisë, me 21 të vdekur e 15 të plagosur. Lajmin e konfirmon Tirana zyrtare, ndërsa shpreh ngushëllime.

Thellësisht të pikëlluar nga lajmi i aksidentit tragjik në Mestre. Shqipëria shpreh ngushëllimet e saj më të sinqerta për familjet që humbën të dashurit e tyre. Mendimet dhe lutjet tona janë me ta. I urojmë shërim të shpejtë të lënduarve të këtij aksidenti tragjik, thekson Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme MEPJ.

Autoritetet italiane po hetojnë shkakun e aksidentit tragjik në Mestre ku një autobus me turistë u rrëzua nga mbikalimi i Vempës. 21 viktima, mes tyre dy fëmijë, si dhe 15 të plagosur. Në mjet udhëtonin shtetas ukrainas, francezë, kroatë, austriakë, spanjollë e gjermanë, të cilët ktheheshin nga Venecia në Marghera. Pasi preku telat e energjisë elektrike, autobusi ra nga rreth 30 metra.

Ndër hipotezat e para të aksidentit tragjik në Venecia të Italisë është mundësia që shoferi i autobusit të jetë ndjerë keq nga ana shëndetësore. 40-vjeçari italian, gjithashtu është mes 21 viktimave. Hetuesit përcaktuan se nuk kishte asnjë shenjë frenimi. Kryetari i Bashkisë së Venecias, Luigi Brugnaro tha se është tragjedi e madhe dhe se “qyteti është në zi”. Prokuroria e Venecias vazhdon hetimet.