Politikë

Ambasada amerikane zbardh takimin e Kim me Ballën dhe Alibeajn: Të rritet transparenca dhe të zbatohet Reforma në Drejtësi

Ambasada amerikane ka zbardhur takimin e Yuri Kim me dy krerët e grupeve parlamentare ditën e sotme, Taulant Balla dhe Enkelejd Alibeaj. Përmes një deklarate selia diplomatike e SHBA thekson mes të tjerash se janë diskutuar një gamë çështjesh në agjendën e Parlamentit si dhe marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Shqipëri.

Mësohet se gjatë takimit Kim ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit midis partive, për të rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë si dhe për të refuzuar përpjekjet për të minuar demokracinë e Shqipërisë. Në fokus të diskutimeve ka qenë gjithashtu integrimi në BE dhe zbatimi i reformës në drejtësi.

“Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Kryetarët e Grupeve Parlamentare Taulant Balla (PS) dhe Enkelejd Alibeaj (PD) për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh në agjendën e Parlamentit dhe marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Shqipëri. Ambasadorja Kim nënvizoi rëndësinë që ka bashkëpunimi i të gjitha partive politike, për të rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë e të gjitha institucioneve, për të refuzuar përpjekjet për të minuar demokracinë e Shqipërisë, për të përmirësuar rolin mbikëqyrës të Parlamentit dhe për të çuar Shqipërinë para me vendosmëri drejt përmbushjes së kërkesave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Ajo theksoi gjithashtu që tani është koha për të shtuar përpjekjet për zbatimin e reformës në drejtësi, të cilën Parlamenti e kaloi njëzëri në 2016 dhe që po fillon të tregojë rezultate”, shkruan ambasada.

🇦🇱 | Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Kryetarët e Grupeve Parlamentare Taulant Balla (PS) dhe Enkelejd Alibeaj (PD)…

Posted by U.S. Embassy-Tirana on Friday, September 16, 2022