Bota

Amerika i jep “OK”-ein qeverisë së re të Autoritetit Palestinez!

Shtetet e Bashkuara përshëndetën formimin e qeverisë së re palestineze, duke sinjalizuar se pranojnë përbërjen e ndryshuar të kabinetit, si një hap drejt reformës politike palestineze. Administrata e presidentit Joe Biden bëri thirrje për “rigjallërimin” e Autoritetit Palestinez, me seli në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Kjo me shpresën se ky Autoritet mund të administrojë edhe Rripin e Gazës kur të përfundojë lufta mes Izraelit e Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-të e Bashkimi Europian. Lufta ka shpërthyer gati gjashtë muaj më parë dhe u nxit nga sulmi i Hamasit në jug të Izraelit, më 7 tetor.

Përmes një deklarate, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se Amerika mirëpret bashkëpunimin me grupin e ri të ministrave, “për kryerjen e reformave të besueshme”.

Një Autoritet Palestinez i rigjallëruar në esencë do të sillte rezultate për popullin palestinez si në Bregun Perëndimor, ashtu edhe në Gaza e do të vendoste kushtet për stabilitet më të gjerë në rajon.

Autoriteti Palestinez administron pjesë të Bregut të pushtuar Perëndimor nga Izraeli. Ndërkaq, prej vitesh udhëhiqet nga presidenti Mahmoud Abbas, i cili nuk është përballur me zgjedhje në pothuajse dy dekada.

Autoritetin Palestinez, Uashingtoni e konsideron si pjesë kyçe të planeve të tij për Gazën e pasluftës. Por, Autoriteti ka pak mbështetje popullore apo legjitimitet në mesin e palestinezëve dhe shumë prej tyre, më shumë e shohin si nënkontraktor të pushtimit, për shkak të bashkëpunimit të sigurisë që ka me Izraelin në Bregun Perëndimor.

Më herët gjatë muajit, në postin e kryeministrit, Abbas emëroi Mohammad Mustafën, një ekonomist i shkolluar në SHBA. Dy ditë më parë, Mustafa paraqiti përbërjen e kabinetit qeverisës. Kryesisht, aty përfshihen autokratë të panjohur, por edhe ministri i Brendshëm e disa anëtarë të tjerë të lëvizjes Fatah të Abbasit bëjnë pjesë në qeveri. Disa ministra janë nga Gaza, por nuk është e qartë nëse ata po jetojnë ende në enklavën palestineze.

Grupi radikal Hamas, rival i Abbasit, dëboi forcat e tij të sigurisë nga Gaza më 2007-ën, vit kur grupi mori pushtetin. SHBA-të dëshirojnë që një Autoritet i reformuar Palestinez të rikthehet e të administrojë Gazën, një ide që është kundërshtuar nga Izraeli, si dhe Hamasi.