Aktualitet

“Aplikacionet e koduara të verifikohen”/ Balla: Kush tërhiqet nga ‘Vettingu’, s’ka vend në Policinë e Shtetit!

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një komunikim për mediat vuri theksin tek procesi i Vettingut.

Ai tha se ky proces është shumë i rëndësishëm dhe se duhet të ecë me ritme të shpejta. Gjithashtu shtoi se ka kërkuar verifikimin për aplikacionet e koduara, dhe se përdorimi i tyre duhet të deklarohet në formularin e vetëdeklarimit.

“Për fenomenin e aplikacionit e komunikimeve të koduara, kam kërkuar të bëhen verifikime. Vettingu i drejtuesve të Policisë është një proces i rëndësishëm dhe tani më me drejtuesin e ri të policisë duhet të ecë me ritme të shpejta. Procesi i vettingut duhet të rrisë besimin e qytetarëve te policia e shtetit. AMP duhet të përmbushë paanshmërinë në këtë proces kaq të rëndësishëm. Kush tërhiqet nga procesi i Vettingut nuk ka më vend në karrigen e policisë së Shtetit”, tha ai.

“Vetëpastrimi i Policisë së Shtetit është mision parësor i mandatit tim si Ministër i Brendshëm.

Policia e Shtetit duhet të jetë një organizatë e shëndoshë, e pastër, e besueshme dhe e fortë në goditjen e paligjshmërisë në tërësi, dhe krimit të organizuar e trafiqeve në veçanti.

Nuk dua ta harroni për asnjë moment se roli i AMP është jetik. Veshi i shurdhër dhe syri qorr, heshtja bashkëfajtore me të fortët e lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, janë rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit.

Jeni ju ata që duhet të hetoni çdo rast mosveprimi nga Policia. Rasti i Vlorës kur një vajzë e re viktimë e dhunës seksuale, apo ai I kopshtit në Tiranë, janë shembujt e këqij të veprimit të vonuar dhe standardit që tashmë është vendosur., tha ai.