Celebrities Gossip Showbiz

Avioni privat i Elton John pëson defekt, zbulohet gjendja e këngëtarit!

Momente paniku për këngëtarin e njohur Elton John, pasi avioni i tij privat me të cilin udhëtonte drejt New York-ut pësoi një defekt në sistemin hidraulik dhe për këtë arsye, bëri ulje të detyruar. Këngëtari 74-vjeçar po udhëtonte nga aeroporti i Farnborough në Hampshire për një koncert në New-York, kur piloti njoftoi ndërsa ndodheshin mbi Irlandë, se duhet të ktheheshin menjëherë për shkak të një defekti.

Më pas, piloti njoftoi në radio kullën e kontrollit se duhej të bënte ulje të detyruar dhe kërkoi skuadrën e zjarrfikësve në pistë. Por paniku nuk përfundoi këtu. Pavarësisht problemeve, avioni dështoi të ulej dy herët e para për shkak të erërave të forta që arrinin deri në 120 km në orë.

Këngëtari tregoi se ishte tronditur shumë nga kjo ngjarje, megjithatë ai nuk humbi kohë dhe mori një tjetër avion për të qenë në kohë për koncertin në “Madison Square Garden”. Është raportuar se Elton John do të humbasë festën e tij të Oscars këtë vit për shkak të një përplasjeje oraresh dhe burri i tij David Furnish do të marrë drejtimin.

Këngëtari 74-vjeçar ka organizuar një festë të përvitshme të Hollywood-it në mbrëmjen e Çmimeve të Akademisë në 30 vitet e fundit, me qëllim që të mbledhë para për fondacionin e tij të Sidës, por ai do të mungojë këtë vit. Çmimet Oscar janë shtyrë nga shkurti në 27 mars kur Elton është rikthyer në turneun e tij dhe ai thuhet se nuk donte të zhgënjente fansat pasi turneu ishte shtyrë më parë për shkak të pandemisë COVID-19.

Një burim i tha rubrikës Bizarre të gazetës “The Sun”:

Elton është absolutisht i mërzitur që nuk mund të bëjë festën, por ishte krejtësisht jashtë duarve të tij. Kur turneu i tij u riplanifikua, ai e mbajti të lirë datën e parë të Oscars. Por kur ceremonia u zhvendos më pas, gjithçka ishte vendosur tashmë.