Aktualitet

Shqipëria shënoi rekord në Europë për turizmin në vitin 2023/Rritja më e lartë e net-qëndrimeve!

Shqipëria shënoi lulëzim të vërtetë turistik në vitin 2023, si për turizmin e brendshëm ashtu dhe atë të të huajve. Të dhënat e fundit të publikuara nga Eurostat-i për net-qëndrimet në akomodimet turistike për gjithë Europën, tregojnë se netët e kaluara në hotele e struktura të ngjashme, vitin e kaluar u rritën me 56.8% në krahasim me 2022-shin. Ndërkaq, ishin 84.7% më të larta se më 2019-ën, para se të fillonin kufizimet e pandemisë.

Në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian, si edhe me shtetet e tjera të Europës, rritja është shumë e lartë. Vitin e kaluar, Bashkimi Europian pa një zgjerim prej 6.1% të net-qëndrimeve, në raport me 2022-shin, ndërsa në krahasim me 2019-ën, me 1.4%.

Pas Shqipërisë, Malta është shteti i dytë me rritjen më të lartë të net-qëndrimeve, me 20.5% dhe më tej Qipro, me 20%, gjithnjë në krahasim me 2022-shin. Për Malin e Zi, të dhënat nuk janë të disponueshme.

Rritje e lartë u shënua si për turistët e brendshëm ashtu dhe ata ndërkombëtarë. Në vitin 2023, net-qëndrimet e vizitorëve ndërkombëtarë në Shqipëri u rritën me 81.7%, nga -0.3% që ishte ndryshimi për Bashkimin Europian. Serbia ishte shteti i dytë me ecurinë më të mirë të net-qëndrimeve të vizitorëve ndërkombëtarë.

Net-qëndrimet nga vizitorët vendas në Shqipëri u rritën me 90.3%, nga 2.8% mesatarja e Bashkimit Europian, ndërsa vendin e parë e zuri Islanda, me 109.3%.

Europa, turizmi gjallërohet ngadalë

Sipas Eurostat-it, në vitin 2023, numri i netëve të kaluara në strukturat akomoduese turistike në Bashkimin Europian arriti në 2.9 miliardë, një rritje me 6.1% krahasuar me vitin 2022 dhe 1.4% në krahasim me periudhën e para pandemisë më 2019-ën.

Në vitin 2023, 24 nga 25 vende të BE-së me të dhëna të disponueshme tejkaluan nivelet e vitit 2022 sa i përket netëve të kaluara. Malta dhe Qipro shënuan një rritje prej 20% në netët e kaluara krahasuar me vitin 2022, të ndjekura nga Sllovakia me 16%. Një rënie e vogël në numrin e netëve është regjistruar në Luksemburg (-1%).

Sllovakia dhe Çekia shënuan rritjen më të lartë sa i përket netëve të kaluara nga vizitorët ndërkombëtarë, me të dyja vendet që përjetuan një rritje prej 29% më 2023-shin krahasuar me 2022-shin. Pas tyre vijnë Holanda dhe Rumania, secila me një rritje prej 23%. Në ana e kundërt, Luksemburgu pa një numër të qëndrueshëm netësh të kaluara nga vizitorët ndërkombëtarë (0%), ndërsa Kroacia regjistroi një rritje modeste prej 2%.

Sa i përket vizitorëve vendas, Greqia shënoi rritjen më të lartë në numrin e netëve të kaluara, me një rritje prej 13% në 2023 krahasuar me 2022, e ndjekur nga Sllovakia (+11%) dhe Bullgaria (+9%). Rënia më e madhe në netët e kaluara nga vizitorët vendas u vu re në Slloveni (-17%), Hungari (-5%) dhe Luksemburg (-4%).

Tejkalimi i niveleve të para pandemisë

Deri në maj 2022, numri i netëve të kaluara në akomodime turistike iu afrua niveleve para pandemisë. Në vitin 2023, vetëm marsi (-4%), qershori (-2%), korriku (-1%) dhe nëntori (-1%) dëshmuan rënie në numra krahasuar me vitin 2019. Pavarësisht luhatjeve, tendenca e përgjithshme për vitin 2023 tregoi rritje në numrin total të netëve të kaluara, duke arritur një numër rekord netësh dhe duke iu afruar shifrës 3 miliardë netë në vit./Monitor