Aktualitet

Bankat rritën shkallën e miratimit të kredive në tremujorin e parë të vitit!

Sektori bankar rriti shkallën e miratimit të kredive si për bizneset, ashtu edhe për individët në tremujorin e parë të këtij viti. Rezultatet e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues të Bankës së Shqipërisë tregojnë një ecuri në përmirësim të mëtejshëm të ofertës për kredi.

Sipas vrojtimit, shkalla më e ulët e refuzimeve për kredi të bizneseve në këtë tremujor u mbështet thuajse nga të gjithë faktorët që e përcaktojnë atë. Kështu, treguesit e lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësit, me kornizën e politikave të bankave, me perceptimin e bankave mbi sektorin ku operojnë bizneset, si edhe me historikun e kreditit, ndikuan në kahun rënës për shkallën e refuzimit të kredive për bizneset.

Edhe në segmentin e individëve, raporti më i ulët i kredive të refuzuara në këtë tremujor u nxit nga të gjithë treguesit e lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësit, me kornizën e politikave të bankave, si edhe me historikun e kreditit.

Ecuria pozitive e ofertës së huasë mbështetet edhe nga vlerat në rritje të kredisë së re në muajt e parë të këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë dy muajve të parë të vitit, vlera e kredisë së re arriti në 52.7 miliardë lekë, në rritje me 47.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Rritja e kredisë së re është veçanërisht e lartë në segmentin e biznesit ndërsa sipas valutës kjo rritje e shpejtë vazhdon të udhëhiqet nga kreditimi në monedhën vendase.

Rritja e kredisë vazhdon edhe në segmentin e individëve, por me ritme disi më të ngadalta. Kredia e re për individët arriti në 14.7 miliardë lekë, rritje kjo me afërsisht 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Normat relativisht të ulëta të interesit po bëjnë që huamarrësit të jenë gjithnjë e më të orientuar drejt monedhës vendase. Kredia e re në monedhën vendase arriti në 33.2 miliardë lekë ose sa 63% e vlerës totale të kredisë së re të dhënë gjatë periudhës.

Banka e Shqipërisë po mban një normë bazë interesi në nivelin 3.25%, një ndër më të ulëtat në Europë. Kjo ka bërë që interesat për kredinë në monedhë vendase të qëndrojnë në një territor tërheqës dhe më të ulëta krahasuar me kredinë në Euro.

Portofoli i kredisë për ekonominë në fund të muajit shkurt arriti në 750 miliardë lekë, me një rritje prej 9 miliardë lekësh krahasuar me fundin e janarit. Me bazë vjetore portofoli total i kredisë ishte në rritje me 5.6%, nga më pak se 4% që kishte qenë rritja në fund të vitit 2023.

Ecuria e mirë e ofertës për kredi është ndikuar ndjeshëm edhe nga një ulja e mëtejshme e raportit të kredive me probleme.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme zbriti në 4.69% nga 4.88% që kishte qenë për janarin dhe 5.16% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Treguesi i kredive me probleme ndodhet në nivelin më të ulët që prej tetorit të vitit 2008./Monitor