Aktualitet

Basha në Lezhë: “Të vendosur për të luftuar pavarësisht masakrës zgjedhore!”

Kryetari në detyrë i PD-së, Lulzim Basha zhvilloi një takim me demokratët në Lezhë.

Fuqia e zemrave tuaja, pastërtia e qëllimeve tuaja, forca e bashkimit tuaj triumfoi mbi të gjitha instrumentet e masakrës zgjedhore të 25 prillit. Dhe për këtë nuk ka mënyrë tjetër për ta nisur veçse për t’u përkulur me respektin dhe mirënjohjen më të thellë ndaj gjithë secilit prej jush, ndaj demokrateve të Lezhës dhe të gjithë votuesve që iu ndoqën e na ndoqën në këtë betejë epike më 25 prill.

Padiskutim kjo betejë nuk u bë për veten tonë, nuk u bë as për karrigen time, as për karriget tuaja. Ajo u bë në një moment kritik të një krize të thelluar të gjithanshme të thelluar për vendin dhe u bë pikërisht për të sjellë ndryshimin që gjithë shqiptarët prisnin dhe meritonin dhënien fund të kësaj krize.

Basha i cili kandidon për një tjetër mandat në krye të Selisë Blu deklaroi se “25 prilli nuk i dha përgjigje asnjë prej pyetjeve dhe shqetësimeve të lezhjanëve dhe shqiptarëve”.

Pavarësisht sakrificës së demokrateve anembanë Shqipërisë dhe fitoreve përballë mekanizmit të masakrës zgjedhore si këtu në Lezhë apo më mirë të themi përkundër mekanizmit të masakrës zgjedhore si këtu në Lezhë, fakti është se më 25 prill u ndal shpresa e shqiptarëve për ndryshim. Sot ndodhemi në një moment tjetër, ndodhemi në momentin e një gare të brendshme e cila diktohet nga statuti i Partisë Demokratike, një garë e cila ka nisur si rezultat i vendimeve statusore të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar.

Një garë e cila është vendosur në një moment kur po zhvillohet një betejë tjetër, që i paraprin një tjetër beteje që na pret. Beteja e faktimit tashmë institucional përkundër vullnetit të mbrapshtë të KQZ-së së kapur dhe diktuar politikisht dhe të urdhëruar për të mos bërë transparencë, përkundër asaj që mund të ndodhë me Kolegjin Zgjedhor, por një betejë e pashmangshme për arsye që anëtarët e Këshillit Kombëtar këtu mes nesh sot mund t’i dëshmojnë fare mirë.

Pavarësisht se ishim për proces numërimi, debati i brendshëm nisi menjëherë dhe vendimi i Kryesisë dhe i Këshillit Kombëtar ishte unanim. Le mos ta lëmë këtë debat për një vlerë të jashtëzakonshme të partisë tonë që është zgjedhja me një anëtar një votë e kryetarit të partisë. Le ta zhvillojmë aty ku e ka vendin para anëtarësisë dhe në shinat e statutit.