Aktualitet Politikë

Basha: Inkurajoj drejtësinë të mos mjaftohet me të arrestuarit në flagrancë për korrupsion!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot në një intervistë televizive se inkurajon SPAK të bëjë punën e vet në zbardhjen e dosjeve të korrupsionit.

Sipas Bashës, nuk ka shanse që drejtues kaq të lartë të bashkisë të kapen në një skemë të pastër korrupsioni dhe kryetari i bashkisë mos të dijë gjë, duke iu referuar arrestimit të disa ish-drejtorëve të këtij institucioni.

“Inkurajoj dhe e mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat drejtësinë të bëjë punën e saj. Pra mos të mjaftohet vetëm me ata që i ka kapur në flagrancë, por të gjejë dhe përgjegjësinë e lartë ligjore, penale në këtë rast e cila duhet kërkuar tek Erion Veliaj në Bashkinë e Tiranës dhe tek Edi Rama në qeverinë shqiptare”, u shpreh Basha.

Kreu i PD-së u ndal edhe tek problemet gjyqësore që kanë shoqëruar këtë parti vitet e fundit.

“Telenovela e vulës është stisur nga aktorët që u intereson të largojnë vëmendjen nga çështjet e vërteta të vendit, problemet e vërteta. Vula gjithmonë në Partinë Demokratike ka qenë. Dhe në PD do të mbetet”, u shpreh Basha.

Sipas tij, nuk mund të mbulohet pikëpyetja mbi legjitimitetin e individëve të caktuar duke i shkuar pas një telenovele që në fakt ka eklipsuar jo pak aksionin opozitar që duhej drejtuar ndaj Edi Ramës.

“Pa diskutim e ka shtyrë, e ka stimuluar, e ka motivuar edhe ai këtë çështje, për ta mbajtur si një çështje të pranishme në çdo debat politik dhe mediatik. Për ne ky është një debat i stisur”, tha Basha.