Aktualitet

Bëri drift me “Benz” dhe e postoi në “Tik Tok”, e pëson keq 21-vjeçari në Elbasan!

Një 21-vjeçar është ndëshkuar me gjobë dhe i është sekuestruar automjeti në Elbasan, pasi ka prishur qetësinë publike.

Mësohet se i riu është gjobitur me 40,000 lekë, ndërsa u zbulua pasi videon ku shfaqej duke bërë manovra të rrezikshme në rrugë ai e kishte publikuar në rrjetin social “tik tok”.

21-vjeçari është shoqëruar në Komisariat, bashkë me automjetin e tij, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa ai do të hetohet për veprën penale “prishja e qetësisë publike”.

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me një video të publikuar në portalin “Tik-Tok”, në të cilën shfaqet një automjet duke kryer manovër të rrezikshme (drift), në bulevardin “Aqif Pasha”, sqarojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kanë kryer veprimet për identifikimin e drejtuesit të automjetit.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi M. C., 21 vjeç, banues në Elbasan, është shoqëruar në Komisariat, bashkë me automjetin e tij. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë ndaj shtetasit M. C., 21 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Gjithashtu, nga specialistët e Policisë Rrugore iu vendos masa administrative 40 000 lekë, bazuar në nenin 139 të Kodit Rrugor. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.