Bota

Betohet presidenti i Letonisë, Rinkevics/I pari kryetar shteti homoseksual në BE!

Edgars Rinkevics bëri betimin si president i Letonisë dhe tashmë është i pari kryetar shteti homoseksual i një vendi anëtar të Bashkimit Europian.

Rinkevics, i cili u emërua ministër i Jashtëm në vitin 2011, u betua në Riga. Në Letoni, Presidenti i Republikës, kryesisht ka rol ceremonial, por mund të vërë veton ndaj ligjeve e të mbajë referendume. Në Bashkimin Europian ka patur drejtues homoseksualë të qeverive, por asnjëherë një kryetar shteti.

Orientimin e tij seksual, Rinkevics, 49 vjeç e bëri publik në vitin 2014 dhe në 9 vite mbetet një mbështetës i vendosur i të drejtave të komunitetit LGBT+. Martesat e homoseksualëve nuk janë të ligjshme në Letoni, edhe pse vitin e kaluar, Gjykata Kushtetuese e këtij vendi njohu bashkimet mes të njëjtit seks. Në maj, Rinkevics u zgjodh nga parlamenti letonez si president i Letonisë, në raundin e tretë të votimit.

Në fjalimin e tij si numri një i vendit, Rinkevics u zotua të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e vazhdueshme të luftës së Ukrainës kundër Rusisë. Ai vuri në dukje se politika e jashtme e Letonisë “nuk ka kohë për gabime”, duke shtuar se do të veprojë “shpejt, me vendosmëri dhe mençuri”. Po ashtu, inkurajoi të rinjtë letonezë “të thyejnë tavanin prej xhami”, duke e quajtur pabarazinë, “problem të rëndësishëm:.

Hendeku social në shoqërinë tonë është shumë i madh. Gjatë presidencës sime, unë do të luftoj për krijimin e një Letonie moderne e të fortë, për një Letoni ligjore dhe të drejtë, për mirëqenien e njerëzve, për një Letoni gjithëpërfshirëse. Eshtë e mundur që ne të gjithë ta arrijmë këtë, duke punuar së bashku.

Në detyrën e rëndësishme, Rinkevics do të pasojë Egils Levitsin, i cili shërbeu si president për katër vjet e tani do të përfaqësojë Letoninë në samitin dy-ditor të NATO-s, që mbahet javën e ardhshme në Vilnius të Lituanisë.