Bota

Biden dhe Scholz takohen në ‘Shtëpinë e Bardhë’: Mbështetje për Kievin për aq kohë sa të jetë e nevojshme

Presidenti Joe Biden mirëpriti në Shtëpinë e Bardhë kancelarin gjerman Olaf Scholz “për të riafirmuar marrëdhëniet e forta dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë”.

Shtëpia e Bardhë njofton këtë në një deklaratë, duke informuar se të dy udhëheqësit “diskutuan përpjekjet e vazhdueshme për të ofruar ndihmë të sigurisë, humanitare, ekonomike dhe politike për Ukrainën dhe rëndësinë e ruajtjes së solidaritetit global me popullin ukrainas”.

Biden dhe Scholz “riafirmuan angazhimin e tyre për të vendosur kosto ndaj Rusisë për agresionin e saj për aq kohë sa të jetë e nevojshme” dhe gjithashtu shkëmbyen “pikëpamje për çështje të tjera globale”.

Ndërkohë, zëvendës komandant i gardës kombëtare të Ukrainës, Volodymyr Nazarenko tha se situata në Bakhmut ishte “kritike” dhe se kishte luftime të pandërprera.

“Ata nuk kujdesen për humbjet e tyre në përpjekjen për të marrë qytetin. Detyra jonë është t’i shkaktojmë sa më shumë humbje armikut. Çdo metër territor ukrainas duhet t’u kushtojë atyre qindra jetë,” tha ai.